Gjashtëdhjetë e pesë nxënës nga klasat 7-9 nga të gjitha rajonet e Kosovës kanë marrë sot pjesë në “Garën Kombëtare të Germëzimit” në anglisht, e cila është organizuar nga Korpusi i Paqes në Kosovë, organizatë joqeveritare amerikane që vepron në vendin tonë.
Nxënësit që vijnë prej zonave rurale nga e gjithë Kosova janë testuar në germëzim nga juria dhe ata që janë treguar më të mirë kanë vazhduar tutje garën.
Vendin e parë e fitoi Eliza Shabiu nga Përlepnica e Gjilanit, e cila u shpreh shumë e lumtur me këtë sukses.
Ajo tha se gëzohet kur ka këso gara që ndihmojnë zhvillimin e nxënësve.
“Procesi ka qenë shumë i komplikuar dhe kam pasur emocione. Jam shumë e lumtur dhe gëzohem shumë që gjithmonë e më shumë në Kosovë po ka këso gara që na bën neve të përparojmë më shumë.
Ndërsa, fituesi i vendit të dytë Yll Ibrahimi, po ashtu nga Gjilani, tha se konkurrenca ka qenë e fortë por me përkrahjen e shoqërisë së tij ia doli ta fitojë vendin e dytë, edhe pse synim i tij ishte të dilte i pari.
“Gjatë kësaj gare jam ndier shumë i emocionuar por kam pasur shumë përkrahje prej shokëve, shoqeve dhe familjarëve. Kam pasur konkurrencë të fortë por u mundova për vendin e parë por nuk e deshi fati”.
Prej tetorit janë organizuar gara të ndryshme nëpër shkolla në nivel lokal, pastaj janë mbajtur gara regjionale dhe në garën që u mbajt sot morën pjesë finalistët të cilët kanë qenë me të mirët në garën regjionale të germëzimit.
Drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë, Darlene Grant, tregoi se 60 vullnetarët e tyre janë prezent më shumë në shkollat rurale të Kosovës, të cilët japin lëndën e gjuhës angleze bashkë me arsimtarët e kësaj lënde.
“Momentalisht i kemi 60 vullnetarë të cilët punojnë në 27 komuna në mbarë Kosovën, nëpër shkollat sidomos nga zonat rurale janë më shumë prezent, ku vullnetarët tanë japin gjuhë angleze së bashku me arsimtarët e gjuhës angleze. Vullnetarët merren edhe me projekte të ndryshme jashtë mësimit të rregullt shkollor, ku njëra prej këtyre aktiviteteve është kjo garë e germëzimit”, tha Grant.
Njëra nga vullnetaret, Arnela Colic, bëri të ditur se përgatitjet për organizimin e garës së germëzimit kanë filluar në tetor të vitit të kaluar.
“Gara e Germëzimit ka filluar në tetor të vitit të kaluar. Rreth 20 vullnetarë kanë marrë pjesë në organizimin e kësaj gare sot”, është shprehur Colic.
Ndërsa menaxherja e programit, Merita Fehmiu, tha se nxënësit kanë punuar me përkushtim të madh për këtë garë.
“Të gjithë këta nxënës janë të zonave rurale të cilët kanë punuar me përkushtim prej tetorit të vitit të kaluar për të ardhur këtu sot”, ka thënë Fehmiu.
Arsimtarja Afërditë Morina-Kafexholli nga shkolla “Ismail Qemaili” në Bellanicë të Malishevës, eksperiencën me vullnetarët e Korpusit ajo e vlerësoi si të veçantë, derisa falënderoi ata për punën e tyre me nxënësit. Ajo tha se në këtë garë morën pjesë me katër nxënës
“Është kënaqësi e veçantë të punosh me vullnetarë të korpusit të paqes”, shtoi ajo.