Shoqata e Bankave të Kosovës mbajti konventën vjetore bankare me temë “Bankimi në kohën e COVID-19”.
Për herë të parë Konventa Vjetore e Shoqatës së Bankave të Kosovës është mbajtur pa prezencë fizike, në një forum virtual për shkak të gjendjes së pandemisë dhe masave kufizuese për parandalimin e COVID-19.
Kjo konventë mblodhi përfaqësues të sektorit bankar në vend, nga bankat komerciale, institucionet shtetërore të vendit dhe institucioneve financiare ndërkombëtare me qëllim që të rrisë kuptimin e sfidave të shkaktuara si pasojë e situatës së pandemisë dhe të mundësoj një diskutim mbi masat e rëndësishme dhe shumë të nevojshme për një rimëkëmbje graduale.
Në fjalën e tij të mirëseardhjes, Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, theksoi rëndësinë që ka kjo ngjarje për sektorin bankar dhe falënderoi bankat komerciale, Bankën Qendrore dhe institucionet financiare ndërkombëtare për mbështetjen e tyre për këtë organizim edhe në këto rrethana të vështira.
Hapja solemne e konventës është bërë nga Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Shoqatës së Bankave të Kosovës njëherit Kryetar i Bordit Menaxhues të NLB Bankës, Albert Lumezi, i cili tha në mes tjerash se: “Për ne, si sektor bankar, ky vit po ashtu paraqet një vit ku ne jemi përkushtuar me të gjitha mundësitë tona që të mbështesim klientët bankar dhe ekonominë e vendit.
Që nga ditët e para të shpalljes së gjendjes së pandemisë Covid-19 në Kosovë, sektori bankar, përmes Shoqatës së Bankave në koordinim të ngushtë me Bankën Qendrore të Kosovës është mobilizuar për të ju përgjigjur gjendjes së krijuar.”
Në hapje të konventës ishte prezent edhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti i cili sqaroi për pjesëmarrësit të gjitha masat e ndërmarra deri më tani nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës për të reduktuar pasojat e pandemisë në sektorin bankar dhe për të ruajtur stabilitetin, njëkohësisht duke mundësuar lehtësime për bizneset dhe ekonomitë familjare.
Pjesëmarrësit patën rastin të shohin edhe një prezantim nga Z. Robert WRIGHT – Nënkryetar i Bordit të Drejtorëve, Shoqata e Bankave të Kosovës / CEO, Raiffeisen Bank Kosova me temë ‘Bankimi në kohë të COVID-19’. Në këtë prezantim u parashtrua një perspektivë optimiste për të ardhmen e sektorit bankar por me një analizë mbi pasiguritë dhe paqartësitë të cilat mund të paraqiten në periudhat e ardhshme deri në tejkalimin e krizës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia.
Ndërsa paneli diskutues rreth temës “Bankimi në Kohën e COVID-19” u udhëhoq nga Znj. Eriola BIBOLLI – Anëtare e Bordit të Drejtorëve, Shoqata e Bankave të Kosovës / CEO, ProCredit Bank Kosova, ku anëtarë të panelit ishin Z. Besnik BERISHA – Drejtor Menaxhues, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore; Arton CELINA – Anëtar i Bordit të Drejtorëve, Shoqata e Bankave të Kosovës / CEO, Banka për Biznes; Gabriel DI BELLA – Udhëheqës i Misionit për Kosovën, Departamenti Evropian, FMN; Z. Sokol HAVOLLI – Zëvendës Guvernator, Banka Qendrore e Kosovës dhe Z. Massimiliano PAOLUCCI – Menaxher për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Banka Botërore. Z. Balija theksoi në përmbyllje të ngjarjes se pandemia botërore ka ndikuar në shumë aspekte të bankimit. Bankat, si dhe klientët e tyre, kanë përjetuar një efekt shokues me kufizimin e lëvizjes dhe mbylljen ekonomike të imponuar për të frenuar përhapjen e COVID-19. Sektori bankar në Kosovë, si një nga shtyllat më të rëndësishme të stabilitetit financiar të vendit, është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në tejkalimin e gjendjes së vështirë ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që ishin pjesë e konventës bankare për vitin 2020 duke uruar që konventa e vitit të ardhshëm ta na gjejë në rrethana më të mira dhe me një ekonomi dhe mirëqenie më të mirë për të gjithë.
Kjo ngjarje u sponzorizua nga bankat anëtare te Shoqatës së Bankave të Kosovës.