Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, po organizon Provimin e Maturës 2017 (afati i qershorit, pjesa e parë), për rreth 30 mijë maturantë sa ka këtë vit Kosova.
Me këtë rast, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka vizituar nxënësit, të cilët iu nënshtruan Provimit në shkollën “Eqrem Çabej” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Ai ka bërë thirrje që nxënësit të mos jenë pre e testeve të cilat janë të publikuara në internet, pasi sipas tij, në maturë shtetërore nuk ka mundësi të manipulimit.
“Sot është ditë e rëndësishme për nxënësit sepse më shumë se 30 mijë maturant sot po i nënshtrohen testit dhe se matura është një fazë e rëndësishme në jetën shkollore të nxënësve sepse ata me këtë i japin fund jetës shkollore dhe fillojnë jetën akademike, ndërsa MAShT ka ndërmarrë të gjitha masat që asnjë nxënës të mos mbetet pa përfshirë në shkollimin e lartë, qoftë në sektorin publik apo privat”, theksoi ministri Bajrami.
Prezente ishte edhe drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, e cika ka treguar që në Prishtinë janë rreth 4 mijë maturantë që iu janë nënshtruar testit të maturës.
Ajo ka thënë se përgjatë këtyre katër viteve është përmirësuar gjendja e arsimit në Prishtinë.
Provimi do të mbahet në 200 qendra testimi në gjithë vendin, ndërsa për mbarëvajtjen e këtij procesi janë të angazhuar rreth 2100 administrues dhe rreth 600 komisionarë.