Zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, hapën punimet e seminarit në nivel nacional për institucionalizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe për mërgatën që jeton dhe vepron në Konfederatën e Zvcirës.
Në këtë punëtori, që u zhvillua më datën 18 dhe 19 maj, 2024 në Döttingen/Konfederatën e Zvicrës, Zëvendësministrja Gashi dhe Ministrja Nagavci së bashku me mësuesit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe diskutuan për hapat e institucionalizimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, rolit institucional në këtë drejtim, mundësitë dhe hapat që duhet të ndërmerren, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet mësimdhënësve të gjuhës shqipe në Diasporë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Zëvendësministrja Gashi dhe Ministrja Nagavci në kuadër të kësaj punëtorie theksuan hapat konkret që ka ndërmarr Qeveria e Republikës së Kosovës në adresimin e nevojave të parashtruara dhe që janë në funksion të këtij qëllimi.
“Punëtoritë që po mbajmë nëpër shtete të ndryshme ku jeton Diaspora jonë, i shohim si hapa drejt ndërtimit të një dialogu institucional, me fokus tek fuqizimi i trekëndëshit nxënës, prind dhe mësues“, ka thënë Zëvendësministrja Gashi, teksa ka shprehur një falenderim të veçantë për të gjithë mësuesit e gjuhës shqipe për kontributin e tyre në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Roli i misioneve diplomatike dhe konsullore në procesin e institucionalizimit të mësimit plotësues në Zvicër dhe Seminari Mbarëkombëtar i Mësimit Plotësues në Diasporë, që do të mbahet këtë vit në Republikën e Kosovës në muajin korrik, 2024 ishin disa nga temat e tjera që u diskutuan gjatë kësaj punëtorie.
Punëtoria për institucionalizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Konfederatën e Zvicrës zhvillohet pas asaj që u mbajt në Republikën Federale të Gjermanisë më datën 10 dhe 11 maj, 2024.