Është mbajtur Seanca e parë e Përgjithshme e Gjykatës Supreme për vitin 2026, e drejtuar nga kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, me pjesëmarrje të gjyqtarëve, përfshirë ata nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës.
Gjatë kësaj Seance, kryetari Rexhepi ka prezantuar Raportin Vjetor të punës së Gjykatës Supreme për vitin 2025, duke vlerësuar se falë një pune të mirë, kemi një shkallë efikasiteti prej 93.21 për qind.
Gjatë vitit 2025, Gjykata Supreme ka kryer 2.209 lëndë, derisa të pakryera rezultojnë edhe 544. Gjithsej gjatë këtij viti janë pranuar 2.370 lëndë të reja, derisa në punë kanë qenë 2.753 lëndë.
Si pikë e rendit të ditës, gjatë Seancës, u diskutua edhe Plani i Punës së Gjykatës Supreme për vitit 2026, i cili u miratua unanimisht.
Kryetari Rexhepi, bëri me dije se edhe gjatë këtij viti, unifikimi i praktikës gjyqësore do të jetë prioritet i Gjykatës Supreme dhe se për këtë qëllim do të mbahen tryeza diskutimi me gjyqtarë të Gjykatës së Apelit, Gjykatës Komerciale si dhe me gjyqtarë të Gjykatave Themelore.
Po ashtu, në funksion të unifikimit të praktikës gjyqësore, në kuadër të Gjykatës Supreme do të themelohet Zyra për Hulumtim, Publikim dhe Monitorim, e cila do të fokusohet në hulumtimin e praktikave gjyqësore nëse janë në përputhje me praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut-GjEDNj, si dhe në monitorimin e zbatimit të praktikave të unifikuara nga Gjykata Supreme edhe në raport me gjykatat e nivelit më të ulët.