Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i Bordit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në të cilët u diskutuan pikat sipas rendit të ditës, transmeton Ekonomia Online.
Në këtë takim morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, zëvendësministrat, Isa Xhemajlaj, Milan Radjoevic, drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, drejtori për Kufi i Policisë së Kosovës, kolonel Shaban Guda dhe përfaqësues tjerë të agjencive dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në një komunikatë për medie nga MPB thuhet se ministri Sefaj falënderoi anëtarët e bordit për punën e mirë që kanë bërë dhe për këtë theksoi do të kenë përkrahjen e tij sa i përket shtyrjes së politikave në kuadër të menaxhimit të integruar të kufirit të cilat dalin nga strategjia kombëtare e MIK-ut.
“Të gjithë së bashku duhet të shikojmë që në të ardhmen të krijohen programe të avancuara në bazë të koncepteve bashkëkohore për kontroll të kufirit si formë e avancuar e teknologjisë në mënyrë që të trupat e kontrollit fizik të orientohen në angazhime tjetra”, theksoi ministri Sefaj.
“Njëra ndër pikat më të rëndësishme është vlerësimi i rolit të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (QKMK) dhe për mënyrat se si të zgjidhen modalitet më të mira që ka ky koncept për ofrimin e sigurisë kufitare në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Zëvendësministri, Isa Xhemajlaj, theksoi se do të angazhohet konkretisht për të gjetur modalitetet më të mira sa i përket avancimit të rolit të QKMK-së, e cila ka një përgjegjësi të madhe në parandalimin e krimit në kufi dhe lehtësimin për qasje në të dhëna për agjencitë e zbatimit të ligjit.