Është mbajtur takimi konstituiv i Komisionit të përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë (KPSA). Këtu pozitë dhe opozitë u zotuan se do të bashkëpunojnë në mes veti, raporton Ekonomia Online.
Kuvendi i Kosovës konstituoi Komisionin e përbashkët Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e cilësoi si një nga proceset më të rëndësishme të vendit.
“Jemi bashkë në konstituimin e këtij komisioni të përbashkët që e kemi me Parlamentin Evropian në një fazë të rëndësishme. Jemi bashkë këtu dhe uroj që grupet e juaja parlamentare kanë zgjedh 13 anëtarë dhe përfaqësues në një komision si ky i cili nuk kërkon zbatim të njëanshëm, por është njëri prej proceseve më të rëndësishme të vendit tonë”, tha Konjufca.
Tutje, ai tha se planet tashmë janë bërë dhe ftoi deputetët që të bashkëpunojnë.
“Kosova tashmë e ka planin kombëtar për zbatimin e Stabilizim Asociimit, e gjithashtu duhet ta dimë që Kuvendi është duke mbikëqyrë planin koordinues dhe të marrim reformat e duhura për një komision të mirëfilltë, dhe ju ftoj për bashkëpunim në aktivitete të përbashkëta”, përfundoi Konjufca.
Kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari-Lila, tha se takimi i parë do të mbahet në muajin nëntor.
“Në përbërje të këtij komisioni janë 13 deputetë dhe takimi i parë do jetë në muajin nëntor, na mbetet vetëm të caktojmë ditën e takimit. Kemi punuar në disa aspekte duke besuar që do kemi një dinamikë të plotë të punës e që kërkon bashkëpunim”, tha Kusari-Lila.
Nënkryetari i komisionit, Elmi Reçica nga PDK-ja, tha se punët në këtë komision janë vonuar shumë, duke shtuar se nëntori po afron dhe punët duhet përshpejtuar.
“Ne kemi një mundësi që të ecim përpara me konstituimin e komisionit, ka ngecje në punët që janë vonuar shumë, kështu që duhet punuar më shpejtë, pasi nëntori po afron”, tha Reçica.
Ndërsa, Armend Muja nga VV, tha se rëndësia e këtij komisioni qëndron edhe mbi bazën e planit të punës dhe stërzgjatja e këtij procesi.
Po ashtu, edhe Haki Abazi nga VV, tha se ajo që duhet bërë më shumë se të kaluarën është kohezioni dhe intensiteti i punës.
Ariana Musliu-Shoshi nga PDK-ja, tha se janë pesë takime mbrapa nëse krahasojnë me bashkëpunimin e Departamentit Evropian, dhe që do kenë punë më shumë.
Tutje, Armend Zemaj nga LDK, tha se nuk e ka të qartë se pse ka ndodhur kjo shtyrje e këtij procesi kaq të rëndësishëm, duke kërkuar shtimin e dinamikës së punës.
“Pse kjo shtyrje e këtij procesi dhe raporti që kemi ndërtuar me evropianët, ky është interes i jonë dhe duhet të shtohet dinamika e punës në të gjitha aspektet”, tha Zemaj.
Në anën tjetër, Besnik Tahiri nga AAK, tha se në këtë proces kaq të rëndësishëm për Kosovën nuk ka opozitë-pozitë por të punojnë bashkërisht, dhe të merret më seriozisht puna.
“Në këtë proces nuk ka pozitë-opozitë dhe si rrjedhojë duhet ta tregojmë veten tonë dhe të punojmë bashkërisht. Nëse duhet të marrim me të vërtetë këtë pune atëherë kryetar kërkoj nga ti krijim të ekipit më serioz, dhe të mbahen mbledhje më shumë”, tha Tahiri.
Pal Lekaj nga AAK, tha se puna e parë e këtij komiteti është që të tregohet plani i punës dhe të zbatohet implementimi në kohë të caktuar.