Mbahet takimi i parë i Këshillit Ndërministror të Ujërave

Prishtinë | 20 Dhj 2021 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Ndërministror i Ujërave ka mbajtur takimin e parë në përbërjen e tij të re, në të cilin ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në kuadër të diskutimit mbi gjendjen e sektorit të ujërave në Kosovë dhe orientimit strategjik të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë fushë, kryeministri Kurti tha se jemi të përkushtuar në zhvillimin e sektorit të ujërave dhe se beson që kjo qeveri është me aktivja deri më tani në përparimin e këtij sektori.

Duke renditur disa prej veprimeve që qeveria ka ndërmarrë deri më tani, kryeministri Kurti tha se kemi krijuar grupin punues për kthimin e ligjshmërisë në dhënien e së drejtës ujore me qëllime komerciale, kemi ndaluar dhënien e pasurisë ujore pa koncesion, kemi miratuar programin për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore, kemi miratuar financimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura për Gjilan dhe Mitrovicë. Kurse sa i përket qeverisjes korporative në ndërmarrjet rajonale të ujërave dhe ujitjes, kemi emëruar Bordet e përkohshme të Drejtorëve me përbërje të barabartë grash dhe burrash dhe jemi në proces të përzgjedhjes së Bordeve të Drejtorëve për shumë ndërmarrje tjera.

Ai veçoi rritjen prej 220% në të hyrat nga pagesat ujore si dëshmi e angazhimit të qeverisë dhe ndërmarrjeve publike në grumbullimin e të hyrave, por edhe e besimit të lartë të qytetarëve ndaj qeverisë dhe institucioneve vartëse.

Të vetëdijshëm për rezervat e ulëta ujore në vend të cilat nuk kalojnë shifrën prej 500 milionë metra kube ujë, kryeministri Kurti ritheksoi synimin e Qeverisë për të rritur këto kapacitete duke ndërtuar dy diga të reja brenda këtij mandati, gjatë të cilit synohet edhe përfundimi i ndërtimit të impianteve në shtatë qendrat e mëdha të Kosovës.

Kryeministri Kurti shprehu falënderimin në emër të qeverisë ndaj komunitetit të donatorëve për përkrahjen e vazhdueshme në sektorin e ujërave, duke veçuar qeverinë i Zvicrës dhe Gjermanisë, Komisionin Evropian dhe Bankën Botërore.

Në këtë mbledhje, përpos ministrave të kabinetit qeveritar dhe institucioneve të linjës, të pranishëm ishin edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jan-Axel Voss.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme