Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Albena Reshitaj, ka organizuar takimin e parë të Task-Forcës ndërministrore lidhur me trajtimin e problemeve të ndotjes së ajrit.
Pjesë e këtij takimi ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, Ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj si dhe përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, raporton Ekonomia Online.
Ministrja Reshitaj tha se përmes kësaj mbledhje kanë marrë informacione dhe kanë vendosur për veprime konkrete lidhur me përmirësimin e gjendjes së ajrit.
“Sot mbajtëm mbledhjen e parë të Task-Forcës lidhur me ndotjen e ajrit. Të gjithë e dimë që qeveria i ka dhënë prioritet mbrojtjes së mjedisit e sidomos në ato pjesë ku kemi problematik, e që përfshinë edhe regjionin e Prishtinës. Diskutuam për angazhimin tonë në përmbushjen e obligimeve ligjore. Ne në këtë takim kemi diskutuar për angazhimin tonë dhe veprimet konkrete”.
“Dua të falënderoj Ministrin e Zhvillimit Ekonomik për veprimet konkrete që do të marr në aktivitetet për ndotjen e ajrit. Ministrin e Arsimit për informacionet dhe gatishmërinë për bashkëpunim, Ministrin e Shëndetësisë që jemi duke bashkëpunuar në projektet e përbashkëta. Së shpejti edhe Kosova do të ketë policin e gjelbër”, tha ajo.
Ajo shtoi se secila ministri në bazë të kompetencave që ka do të marr përgjegjësi për ndotësit e ajrit.
“Ne do të kontrollojmë veprimet e tyre. Ministria e Zhvillimit Ekonomik po merr vendim për mos faljen e 600 mijë tonë thëngjill për punëtorët e KEK-ut. Veprim konkret është nga ministri i Arsimit që po përgatit korrikulat arsimore për nxënësit që të dinë se si të mbrohet ajrit. Banka botërore është duke bërë hulumtim për të identifikuar ndotësit në rajon dhe do të kemi të dhëna të sakta. Do të funksionalizojmë gjobat mandator”, tha ajo.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, tha se do të punojë në zhvillimin e aktiviteteve që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
“Mjedisi ka një ndikim shumë të madh në shëndetin e Kosovës. Ministria e Shëndetësisë do të ketë një komitet shëndetësor dhe do të dalim me konkluzione dhe iniciativa për qytetin e Prishtinës. Kemi filluar më herët dhe presim bashkëpunimin e qeverinë lokale në Prishtinë. Është proces i gjatë por që ne e kemi filluar dhe do të shohim rezultate të prekshme muajt dhe vitet e ardhshme”, tha ai.