Me iniciativë të deputetit Salih Salihu dhe në bashkëpunim me Drejtorinë për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv të Kuvendit, është mbajtur tryeza për “Cilësinë e bukës në Kosovë”.
Drejtori në Drejtorinë për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv të Kuvendit, Arben Loshi tregoi se si është ligji në Republikën e Kosovës dhe ato të rajonit për ushqimin dhe miellin në këto vende, raporton Ekonomia Online.
“Në Republikën e Kosovës, korniza ligjore që ka të bëjë me miellin është ligji Nr. 04/L-114 për pasurimin e Miellit i cili përcakton rregullat që zbatohen për pasurimin e miellit si mënyra që kanë për qëllim parandalimin dhe reduktimin e sëmundjeve që shkaktohen nga mungesa e hekurit dhe acidit folik”, tha Loshi.
“Paketimi i miellit duhet të bëhet sipas rregullave që sigurojnë ruajtjen e vitaminave dhe mineraleve, sipas standardeve ndërkombëtare dhe duhet të përmbajnë këto informata me etiketë si tipin e miellit, përmbajtjen dhe sasinë e elementeve shtesë në miell, lagështia dhe hiri, shkalla e aciditetit, data e prodhimit dhe e skadimit dhe kushtet e ruajtjes”, shtoi Loshi.
Ndërsa, për ligjin në Republikën e Shqipërisë tha se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit sipas dispozitave ligjore obligohet të kryejë kontrollin zyrtar për cilësinë e ushqimit në të gjitha fazat e prodhimit, shpërndarjes në përputhje me kërkesat e detyrueshme të legjilacionit.
“Mieli pavarësisht species së grurit nga i cili është përgatitur, duhet të plotësojë kushtet e përgjithshme që mielli dhe çdo përbërës që i shtohet duhet të jetë i sigurt dhe i përshtatshëm për konsum, duhet të jetë pa erë dhe shije jonormale dhe pa insekte të gjalla, duhet të ketë pastërti me origjinë shtazore dhe specifike niveli maksimal i përmbajtjes së lagështisë për miellin, pavarësisht nga specia e grurit duhet të jetë 15% e masës”, tha Loshi duke treguar për ligjin për ushqim të Republikës së Shqipërisë.
Salih Salihu, anëtar në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor tha se përveç mishit si produkt i rëndësishëm në tryezën e ushqimit, rol të rëndësishëm dhe esencial për qytetarët e vendit është edhe buka si artikull i përditshëm në tryeza familjare dhe vendet e varfra bukën e kanë artikullin më të rëndësishëm ditor për nevoja për ushqim.
“Buka e bardhë në vendet perëndimore është duke u zëvendësuar me bukën e zezë, në fakt buka është duke u larguar në përgjithësi nga tryeza dhe duke u zëvendësuar me të tjera produkte si orizi, patate, etj.”, tha Salihu.
Salihu tha se Kosova ka nevojë për 400 mijë tonë miell në vit, sepse, sipas tij, një njeri me moshë madhore në vit shpenzon 350 deri në 400 bukë, ose 1 deri në 2 bukë në ditë, raporton EO.
Ndërsa, sipas të dhënave doganore, Salihu tha se 4 mijë tonë aditiv hyjnë në Kosovë brenda 1 viti.
Salihu shtoi se në Kosovë nuk ka standard se sa duhet të peshojë buka apo se në çfarë sasie duhet të ketë aditiv dhe për këtë ai tha se përgjegjës është Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinarisë për mosmbikëqyrje të zbatimit të këtij ligji nga prodhuesit e bukës.
“Ligji për aditiv ekziston, por nuk është duke u zbatuar, sepse nuk është marrë askush me të, nuk është e precizuar se sa aditiv duhet të shpenzohet dhe për këtë është përgjegjës Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinarisë që ta përcjellë se a po zbatohet ky ligj apo jo”, tha Salihu.
Daut Haradinaj, kryetar i komisionit, tha se duhet të mbështetet iniciativa ligjore për të pasur cilësi të ushqimit dhe se, sipas tij, AVUK duhet të jetë më e kujdesshme në zbatimin e ligjit, sepse detyra e komisionit nuk është t’i këshillojë, por të merret masa ndaj tyre për moskontroll të ushqimit.
“Nuk është qëllimi që të dëmtohen prodhuesit e grurit, sepse asnjë deputet nuk është i interesuar ta bëjë këtë, sepse ligji është për të mirën e përbashkët dhe ne duam t’ju mbështesim për ta rritur cilësinë, por ne nuk jemi të kënaqur deri më tani në ketë aspekt”, tha Dauti.
Muhamet Farizi, drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Mullisëve të Kosovës, tha se Kosova ka traditë të bluarjes së miellit dhe se për momentin janë 40 mullinj të cilët kanë kapacitet të lartë.
“Kemi pengesë nga Shqipëria, Maqedoni, Shqipëria ka trilluar një vendim për proteina me qenë 12.5 por ne kemi kapacitet dhe e kemi kontrolluar miellin e Shqipërisë që nuk i ka ato proteina, por mielli ynë në Shqipëri e ka këtë pengesë”, tha Farizi.
Farizi shtoi se gruri kur të vjen në mulli tatimohet në emër të bujkut me 3% dhe kjo shfaqet si problem për ta pasi që mullisti është i detyruar t’i ndajë 3% dhe t’ia paguajë shtetit.