Takimi i brendshëm në mes Këshillit të Kryetarëve të Komunave dhe Asociacionit të Komunave, ka përfunduar pas më shumë se dy orësh, raporton Ekonomia Online.
Disa nga kryetarët e komunave u shprehën se takimi ishte i frytshëm.
Kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci gjatë takimit që kanë mbajtur bashkë me Asociacionin e Komunave dhe kryetarët kanë diskutuar për të marrë vendim që në kuadër të komisioneve të vazhdojnë me procedurën e projektligjeve që do të vinë në Kuvend.
“Sot me kryetarët e komunave, patëm një takim të përzemërt të mirë. Ne e kemi thirrur takimin për të diskutuar për çështjet lokale dhe për zgjedhjet lokale, kështu që ne morëm vendim që në kuadër të komisioneve të vazhdojnë me procedurën e këtyre projektligjeve që do të vinë në Kuvend”, tha Lladrovici.
Edhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri theksoi se ky takim ishte pozitiv dhe diskutimi ishte më shumë rreth problemeve të shumta që kanë adresuar kryetarët e komunave.
Tutje ai thekson se janë disa kërkesa që kanë adresuar e ndër to çështja e zëvendësimit të punëtorëve të arsimit.
“Ishte një takim shumë i frytshëm i kryetarëve të komunave, ku diskutuam lidhur me problemet që i preokupojnë komunat dhe me të cilat ballafaqohemi çdo ditë si komuna, në një bashkërendim të gjithë kryetarëve të komunave pa dallim partie politike. Me të vërtetë Asociacioni i Komunave është unik sepse kryetarët diskutojnë në interes të komunave gjithmonë dhe përtej kornizave partiake”.