Në Shqipëri kanë mbërritur të premten në mbrëmje 38.400 dozat e para të vaksinës AstraZeneca. Për të parë mbërritjen e vaksinës, në aeroportin “Nënë Tereza” ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij theksoi se edhe 60 mijë doza të tjera vaksinash anti-COVID, pritet që të vijnë në prill, ndërsa një pjesë të tyre, sipas Ramës, do t’i ndahet Kosovës.
“Edhe 60 mijë doza do mbërrijnë në muajin prill. Ideja është që të kemi vaksinim intensiv. Jemi gati, nga nesër që të organizohemi, bashkë me Kosovën, që t’ju japim mundësi mjekëve dhe infermierëve të spitaleve Covid, që nga spitali i Prishtinës. I presim vëllazërisht. Do jetë e rëndësishme, që edhe në Kosovë të thyhet kjo pengesë për të pasur dozat e para të vaksinës anti-Covid”, u shpreh Rama.
Rama edhe më herët kur në Shqipëri erdhën dozat e para të vaksinës Pfizer, premtoi një pjesë për Kosovën, por megjithatë kjo nuk u realizua kurrë. (BW)