Institucionet e shtetit nuk kanë qenë në gjendje, të premten, që të sqarojnë saktë rrethanat se si të enjten mbrëma ka humbur jetën një punëtor nga Mitrovica, në vendin e tij të punës, në rrugën “Robert Dole”, në lagjen “Lakërishtë” në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.
Të dhënat e disa institucioneve për rastin nuk janë në përputhje. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, personi “ka rënë nga kati i 6-të i ndërtesës ku ka qenë duke punuar”, ndërkohë që në Inspektoratin e Punës kanë thënë se sipas raportit preliminar që e ka bërë inspektori, ai “nuk ka rënë nga lartësia duke punuar”, por ka rënë në katet e nëndheshme, “nga kati përdhes ose kati -1”. Në Prokurorinë Themelore kanë thënë se rastin e kanë cilësuar si “vdekje të dyshimtë”, dhe se janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e tij.
Punëtori që ka humbur jetën është Behram Behrami, rreth 60 vjeç, nga Komuna e Mitrovicës.
Në vendin ku ka ndodhur ngjarja të premten nuk është punuar, ndërkohë që as kompania investuese që është “Pcc Prishtina City Center”, e as kompania që ka qenë e nënkontraktuar për kryerje të punimeve “Alba Group”, nuk kanë dhënë sqarime rreth ngjarjes.