Mbi 1 000 persona këtë vit kanë kërkuar ndihëm juridike falas, këto janë kriteret

Prishtinë | 19 Mar 2022 | 09:00 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) kanë kërkuar shërbime veç këtë fillim vit 629 meshkuj dhe 483 femra, pra në total 1 110 persona, ka thënë Anita Alaj-Kalanderi, drejtoresh ekzekutive në këtë institucion në një intervistë për Ekonomia Online.

Ajo ka sqaruar se vitin e kaluar kësaj agjencie i janë drejtuar 4 599 qytetarë, prej tyre 2 618 meshkuj dhe 1 981 femra.

“Statistikat deri për këtë vit thonë se ndihmë juridike falas kanë kërkuar 1 110 persona. Prej tyre femra janë 483, meshkuj janë 629 që kanë përfituar ndihmë juridike”.

“Në vitin 2021 kanë përfituar ndihmë juridike falas 4 599 qytetarë. Numri i meshkujve prinë, janë 2 618 qytetarë meshkuj që kanë përfituar ndihmë juridike falas dhe janë 1 981 femra që kanë përfituar ndihmë juridike falas”.

Alaj-Kalanderi ka sqaruar se ndihma juridike ofrohet në disa lëmi, si ato civile, penale, administrative e kundërvajtëse.

“Ndihma juridike ofrohet në lëmin civile, penale, administrative dhe kundërvajtës. Kryesisht numri i rasteve që prijnë janë civile dhe në pjesën administrative, çështjet dhe dilemat e ndryshme që i kanë në çështjet pensionale, konteste të marrëdhënies së punës, çështje të ndryshme trashëgimore, çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet familjare që janë alimentacionet, besimi i fëmijëve, shkurorëzimet, ndarja e pasurisë së përbashkët”.

“Në momentin kur pala ka nevojë për përfaqësim në gjykatë, vlerësohet nga zyrtari i agjencisë dhe caktohet avokati që ofrohet nga lista e Odës së Avokatëve dhe përfaqëson në gjykatë, palën që i plotëson kriteret”.

Sa i përket kritereve për të përfituar ndihmë juridike falas ajo tha se janë tri kritere që duhet përmbushur, ai financiar, kualifikues dhe juridik.

“Sipas ligjit për ndihmë juridike falas, për të përfituar ndihmë juridike falas është kriteri kualifikues, kriteri financiar dhe kriteri juridik. Kriteri kualifikues nënkupton atë se për të përfituar ndihmë juridike falas duhet të jetë shtetas i republikës së Kosovës apo të ketë një vendqëndrim në Republikën e Kosovës. Kriteri financiar, sipas këtij kriteri ndahet ndihmë juridike primare dhe sekondare”.

“Ndihmë juridike primare automatikisht përfitojnë të gjithë personat që janë përfitues të ndihmës sociale, ndërsa ndihmë juridike sekondare përfitojnë ata persona që nuk realizojnë të ardhura, të ardhurat mesatare janë nën mesataren e të ardhurave të përcaktuara. Me plotë përgjegjësi mund të them përfitues të ndihmës juridike falas është një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës që i plotësojnë edhe kriteret që i parasheh ligji. Kriteri Juridik, duhet të kemi prova për të iniciuar një rast”.

Sipas saj, prioritet kanë viktimat e dhunës në familje për të cilat tha se kanë të drejtë të zgjedhin avokatin nga lista që ofrohet nga Oda e Avokatëve.

“Prioritet kanë viktimat e dhunës, gjë që për viktimat e dhunës e kemi një kushtimisht ta them një vendim. Që në momentin kur viktima e ka një urdhër-mbrojte apo inicion rastin për shkurorëzim dhe për alimentacion apo besim të fëmijëve dhe i duhet avokati për të përfaqësuar në gjykatë, viktima ka të drejtë të zgjedh nga lista e avokatëve cilin do avokat që viktima e dhunës e përzgjedh”.

Alaj-Kalenderi tha për të iniciuar ndihmë juridike falas të interesuarit duhet të shkojnë në zyrat e ANJF-së, ku zyrtari i agjencisë brenda pesë dite është i obliguar t’i kthej përgjigje nëse pala ka përfituar apo i’u është refuzuar kërkesa, raporton EO.

“Procesi iniciohet me kërkesën e palës, pala vjen i drejtohet zyrtarit në agjenci, zyrtari i agjencisë brenda afatit 5 ditor është i obliguar ta lëshoj një vendim për fitimin apo refuzimin e ndihmës juridike falas. Në momentin kur aprovohet që një person i plotëson kriteret dhe përfiton ndihmë juridike falas, atëherë vazhdon zyrtari me kompletimin e lëndës. Varësisht nga natyra e problemit harton shkresa, kompleton lëndë, cakton avokatë për përfaqësime gjyqësore dhe ky është mënyra se si ne veprojmë si institucion”.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës ndihmën juridike ua mundëson të gjithë atyre qytetarëve të cilët për shkak të mungesës së mjeteve materiale nuk kanë mundësi t’i qasen sistemit të drejtësisë.

ANJF-ja funksionon në 36 komuna, 21 komuna mbështeten nga buxheti i Republikës së Kosovës, në 6 komuna përmes zyrave mobile të përkrahura nga projekti i GIZ-it, në 7 komuna ekziston klinika mobile lëvizëse, projekt i mbështetur nga UNDP-ja dhe në 7 komuna ku ANJF-ja nuk ka zyrë rajonale as zyrë mobile.

Të ngjashme