Doktoresha Blerina Gashi, dëshmitare e mbrojtjes në rigjykimin ndaj Endrit Nikës ka deklaruar se terapia që i ishte dhënë Maria Clara Urdangaray-t gjatë transportit me autoambulancë nuk ka mundur të ndikojë në ndonjë gjendje konfuzioni të saj, raporton Ekonomia Online.
Kjo çështje u ngrit nga babai i viktimës, Facundo Urdangaray, i cili e pyeti dëshmitaren nëse një person që bie nga një lartësi e tillë mund të jetë në gjendje konfuzioni dhe të japë përgjigje të pasakta.
“Një person që bie nga një lartësi e tillë a mund të shkaktojë konfuzion gjendja për t’i dhënë përgjigje”, pyeti ai.
Gashi u përgjigj se bazuar në atë që kishte parë gjatë ndërhyrjes dhe në raportin e QKUK-së, viktima kishte qenë e vetëdijshme.
“Kjo është individuale nga ajo që unë kam parë ka qenë e vetëdijshme, dhe nga ajo që kam parë në raport të QKUK rezulton se ka qenë e vetëdijshme”, theksoi ajo.
Babai i viktimës e pyeti gjithashtu se cili protokoll zbatohet në rastet kur një person bie nga lartësia?
“Nëse kontestoni diçka se a ka qenë e vetëdijshme apo jo sa ka qenë në autoambulancë besoj që këtë e tregon QKUK, sipas protokollit”, tha dëshmitarja.
Për terapinë e dhënë viktimës dhe ndikimin e saj në vetëdijen e pacientes, pyetje pati edhe kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri. Gashi bëri të ditur se gjatë transportit i ishte dhënë tretje fiziologjike, tramadol dhe metoklopramid.
“Tretje fiziologjike, tramadol dhe metoklopramid. Është individuale se si mund të reagojë, i ruhet vetëdija, është fakt që i ruhet vetëdija, nuk mund të them saktë për sa ka efekt ose ndikim pasi kjo varet nga ajo çfarë ka përjetu. Sa e kujtoj unë është që ka pasur gjakderdhje të brendshme. Terapia jonë nuk ka mund të ndikojë në konfuzitetin e saj”, tha ajo.
E pyetur nga kryetari i trupit gjykues nëse pyetjet që i kishte bërë viktimës ishin para apo pas dhënies së terapisë, dëshmitarja tha se nuk mund ta përcaktonte me saktësi.
“Nuk mund të di me saktësi”, potencoi ajo.
Endrit Nika akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila kishte vdekur në QKUK nga lëndimet e marra pas rënies nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2026, e kishte dënuar Nikën me 18 vjet burgim, por Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën e tij, fillimisht e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.
Prokuroria pretendon se përleshja kishte vazhduar edhe në dhomën e hotelit, ku Nika e kishte goditur dhe shtyrë viktimën, duke e hedhur më pas nga dritarja e katit të gjashtë. Ai ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
