Ish-ambasadori i Kosovës, Muhamet Brajshori, ka pretenduar se presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, dhe kryeprokurorja Kimberley West kanë kontaktuar vazhdimisht qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke kërkuar presion ndaj Kosovës për të mos e votuar sërish ligjin për Dhomat e Specializuara.
Në një postim në platformën X, Brajshori ka thënë se gjatë vizitave të tij në disa kryeqytete evropiane javën e kaluar, ka mësuar për këto kontakte, shkruan Insajderi.
Sipas tij, në telefonatat me përfaqësuesit e vendeve evropiane, Trendafilova dhe West kanë kërkuar që Kosovës t’i bëhet presion përmes kërcënimeve me bllokimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe të fondeve, si dhe duke e mbajtur jashtë agjendës anëtarësimin në Këshillin e Evropës përderisa vazhdojnë procedurat në Gjykatën Speciale.
“Kjo letër është ndikuar nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe nga telefonatat në Londër të presidentes së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, dhe kryeprokurores Kimberly West. A nuk e ka dëgjuar Londra edhe perspektivën e Kosovës? Kosova duhet t’i shpjegojë shqetësimet e saj drejtpërdrejt dhe qartë. Mbretëria e Bashkuar nuk do ta mbështeste një rast të dytë të ngjashëm me atë të ‘Birmingham Six’”, ka shkruar Brajshori.
Brajshori ka pretenduar se argumenti i tyre ka qenë se Gjykata Speciale është themeluar për të dhënë drejtësi dhe jo për ta vënë në pikëpyetje vetë drejtësinë e saj, duke iu referuar mundësisë së një shqyrtimi nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Ai e ka cilësuar këtë qëndrim si të pazakontë sa i përket llogaridhënies gjyqësore, duke argumentuar se asnjë gjykatë nuk duhet të jetë mbi shqyrtimin.
Pretendimet e Brajshorit vijnë në kohën kur kryeministri britanik, Andy Burnham, i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me mbështetjen për mandatin e Gjykatës Speciale.