Komisioni për Shëndetësi në mbedhjen e sotme ka kërkuar nga drejtori i SHSKUK-së dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, që brenda dy javësh të dorëzojnë raporte me shkrim lidhur me listat e pritjes së pacientëve dhe furnizimin me barna nga lista esenciale, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa, pas shqyrtimit të tyre, komisioni planifikon t’i ftojë të dy për raportim gjatë muajit dhjetor.
Kjo kërkesë u përcoll me përplasje mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës.
Kryetari i komisionit, Uran Ismaili, theksoi rëndësinë e llogaridhënies institucionale dhe respektimit të afateve, ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, e kritikoi qasjen e tij, duke e cilësuar si të politizuar.
Ismaili sqaroi se kërkesa për raporte është pjesë e planit të punës së komisionit për muajt nëntor dhe dhjetor, me qëllim të evidentimit të problemeve në sistemin shëndetësor dhe përgatitjes së aktiviteteve për vitin e ardhshëm.
“Kemi të bëjmë vetëm me dy muaj çka ka mbet, dhjetori ka njëfarë përfundimi më të hershëm dhe kemi dashur që të kemi disa aktivitete për nëntor dhe dhjetor dhe ta shfrytëzojmë në një sesion që do të kishim pasur të bëjmë një planifikim për vitin e ardhshëm. Me na dërgua një raport me shkrim në listën e pritjes të klinikës së SHKUK-së dhe për raport me barna në listën esenciale”, tha Ismaili.
Ai u bëri thirrje anëtarëve të komisionit që të kërkojnë respektimin e afateve të përcaktuara për dorëzimin e raporteve, duke paralajmëruar se ndarjet politike nuk duhet të ndikojnë në trajtimin e kërkesave të këtij institucioni.
“Kërkoj nga gjithë ju që të jemi të vendosur që në raporte që po i kërkojmë që të na respektojnë afatet që po i dërgojmë, përpilimi i këtij raporti është jashtëzakonisht i lehtë. Nuk do të doja që të behej komisioni një lloj ping pongu që të mos merremi parasysh, për shkak se njerëzit gjejnë mbështetje politike në kuptimin opozitë-pozitë.”, tha ai.
Qasja e Ismailit u kundërshtua nga deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi.
Ky i fundit e akuzoi kryetarin e komisionit se, pavarësisht deklarimeve për mospërfshirje të politikës, diskutimet po zhvillohen në frymë politike. Ai gjithashtu rikujtoi kohën kur Ismaili kishte qenë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Po fillon mbledhja me të njëjtën qasje që nuk doni të bëni politikë dhe për çdo herë po përfundon duke e bë të njëjtën, e kuptoj jeni subjekte opozitare. Nuk duhet të harroni se keni qenë ministër i shëndetësisë, nuk është se e kemi gjetur shëndetësinë në lule dhe u prish brenda natës, është ky sistem shëndetësorë të cilin e dimë që nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme, le të flasim në një dozë më të lartë të sinqeritetit”, tha Azemi.
Pas reagimit të Azemit, Ismaili mohoi se kërkesa për raportim ka karakter politik, duke këmbëngulur se qëllimi është marrja e përgjigjeve nga institucionet përgjegjëse për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Debati për gjendjen në shëndetësi u zgjerua edhe me ndërhyrjen e deputetes së Aleancës, Albana Bytyqi, e cila ngriti shqetësime për mungesën e përmirësimeve në këtë sektor.
Ajo përmendi rastin e një qytetari nga Peja, i cili, sipas saj, po jeton në kushte të vështira dhe nuk po arrin të sigurojë kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
Bytyqi bëri të ditur se kishte takuar personalisht këtë person dhe kërkoi vëmendjen e anëtarëve të komisionit për gjendjen e tij.
“Kur po i dëgjoj këta duke folur për shëndetësi, po më duket sikur po jetojmë në një shtet tjetër. Po qe është një person nga Peja jeton në Prishtinë pa shtëpi, pa ushqim, pa kujdesje.”, tha ajo.
Ndërkaq, Azemi reagoi ndaj kritikave të Bytyqit, duke sqaruar se nuk kishte deklaruar se sistemi shëndetësor është në gjendje të mirë.
Ai përsëriti qëndrimin se problemet aktuale janë të trashëguara dhe vazhdojnë të mbeten sfidë për sektorin e shëndetësisë.