Më tepër se 100 kafshë të egra, përfshirë edhe tetë rinoqerontë të rrallë, kanë ngordhur në vërshimet e fundit në një park nacional në veri-lindje të Indisë, bën të ditur BBC.
Parku Kaziranga në shtetin Assam është shtëpi e popullatës më të madhe të rinoqerontëve njëbrirësh, që janë përballur me zhdukje në fillim të këtij shekulli.
Por, vërshimet e shkaktuara nga shiu këtë vit ka bërë që 85 për qind e parkut të jetë nën ujë. Në vërshimet kanë vdekur së paku 190 persona dhe janë zhvendosur miliona në Assam dhe në Nepal.
Parku Kaziranga është shtëpi e afro 2400 rinoqerontëve njëbrirësh.
Zyrtarët e parkut kanë treguar se tetë nga rinoqerontët janë mbytur në ujë në shirat e fundit, ndërsa një tjetër ka ngordhur nga shkaqe të natyrshme muajin e kaluar.
Disa kafshë tjerë, si drerë, dema e iriqë, po ashtu kanë ngordhur, shumica nga përmbytjet. Ndonëse disa edhe janë goditur nga veturat ndërsa njerëzit kanë tentuar të ikin nga vërshimet.
Nëpër Assam, shirat kanë përmbytur shumë fshatra. Janë ngritur qindra kampe për t’u strehuar banorët e zhvendosur.
Shirat dhe rrëshqitjet e tokës janë të zakonshme në verilindje të Indisë dhe në shtetet fqinje. Por, këtë vit kanë ardhur në kohën kur India është duke luftuar për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Në India janë raportuar mbi një milionë raste me COVID-19.