Plot 101.254 mijë shikues panë nga afër golin që Xherdan Shaqiri e shënoi të shtunën në debutimin e tij me Liverpoolit.
Shaqiri shënoi golin e katërt në fitoren 4:1 të Liverpoolit ndaj Manchester Unitedit në kuadër të turneut “International Champions Cup”, në “Michigan Stadium” të ShBA-së.
Shaqiri, që vetëm para katër ditësh iu bashkua skuadrës së re, në lojë u inkuadrua në pjesën e dytë dhe për ato minuta sa luajti i mjaftuan të asistojë golin e shënuar nga Daniel Sturidge dhe të shënojë vetë në minutën e 82-të me stilin e gjuajtjes “gërshërë”, pas harkimit nga Benjamin Woodburn, shkruan sot “Koha Ditore”.
Paraqitja e reprezentuesit të Zvicrës, nga trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, u vlerësua e shkëlqyer.
“Nuk është normale që pas katër ditësh në ekip të adaptohesh aq mirë në stilin e lojës që aplikojmë. Ne kemi dashur ta ndihmojmë me pozitën në fushë që të mos ketë probleme për adaptim. I kemi dhënë shumë liri dhe ka pasur hapësirë të mjaftueshme të vrapojë në krah. Pikërisht këtë e ka bërë Shaqiri. Ai ka luajtur shumë më mirë se që kam pritur”, ka thënë Klopp për uebfaqen e klubit.
Shaqiri, 26-vjeçar, te Liverpooli u prezantua pas eliminimit me Zvicrën në 1/8 e finales të Kampionatit Botëror të mbajtur në Rusi. U transferua nga Stoke City dhe firmosi deri në verën e vitit 2023.