Në listë të pritjes në QKUK për ndërhyrje kirurgjike në zemër janë mbi 100 pacientë. Lista e pritjes është deri në vitin e ardhshëm. Për më keq, disa pacientë kanë vdekur derisa prisnin për t’u operuar, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Mbi 100 pacientë aktualisht janë në listë të pritjes në Klinikën e Kardiokirurgjisë për intervenime kirurgjike në zemër. Kështu ka bërë të ditur drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë Tefik Bekteshi javën e kaluar, kur u funksionalizua edhe një sallë operative dhe një dhomë e mjekimit intensiv në këtë Klinikë.
Kjo listë e pritjes për operime në zemër përmban terminë nga janari i këtij viti, pra që më shumë se pesë muaj pacientët janë në pritje për operim, ndërsa siç është thënë për gazetën “Zëri” terminët për operim shkojnë deri në vitin 2019.
Gazeta “Zëri” ka mësuar se tetë pacientë, të cilët kishin probleme në zemër dhe që kanë qenë në lista të pritjes për operim që nga viti 2016, kanë vdekur para se t’u vinte radha për trajtim.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) muajin që lamë pas përmes një njoftimi për medie ka bërë të ditur që këtë vit në listë të pritjes për intervenime në zemër janë 120 persona.
Zyrtarë për Informim në Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë thënë për “Zërin” se për operime në këtë Klinikë kanë filluar të ftohen pacientët që në këtë vit kanë bërë terminë…