Në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, në organizim të Komitetit për Politike dhe Financa (KPF), sot është mbajtur debati publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për vlerësimet e hershme për vitin 2021-2023.
Afrim Dina, kryesuesi i Kuvendit Komunal dhe KPF, theksoi se si qëllimi i mbajtjes së këtij debati është i karakterit informues dhe përmbushjes së obligimeve ligjore të cilat kanë të bëjnë me transparencë komunale. Ju njoftoj gjithashtu se është përgatitur kalendari i dëgjimeve publike me qytetarë për buxhetin e vitit 2021, dëgjime këto që janë planifikuar të mbahen në disa lokalitete të komunës.
Afrim Limani, drejtor për Buxhet dhe Financa, duke prezantuar KAB-in theksoi se buxheti komunal i Rahovecit përbëhet nga dy burime kryesore si: nga grantet qeveritare dhe të hyrat vetanake komunale.
“Buxheti i komunës së Rahovecit për vitin 2021 do të jetë 14 milion e 548 mijë e 823 euro, grandi qeveritar do të jetë 13 milion e 391 mijë e 982 euro, kurse të hyrat vetanake do të jenë 1 milion e 156 mijë e 841 euro, kurse përmes projektorit ju të pranishëm mund të shihni informatat e buxhetit sipas Qarkores se pare buxhetore komunale 2021.01”, ka thënë drejtori Limani.