Përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, po sfidohen nga dy probleme thelbësore. Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe së dyti, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasiguruara në qarkullim, çka e bën të pamundur sigurimin e Kartonit të Gjelbër.
Kartoni i Gjelbër, vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).
Blerim Pushkolli, drejtor ekzekutiv në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, tha se parakushtet tjera të kërkuara nga Këshilli i Byrove në vitin 2011, janë plotësuar qysh kur është dorëzuar edhe aplikacioni për anëtarësim.
“Mirëpo mosanëtarësimi në OKB vazhdon të na penalizojë në procedim të mëtejshëm në lidhje me pranimin e Kosovës në këtë Këshill”, tha ai.
Këshilli në atë kohë, rikujton Pushkolli, kishte kërkuar që Kosova të miratojë Ligjin për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia, themelimin e Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Qendrës Informative si dhe Fondin Garantues në shumën prej 4 milionë eurosh, kushte këto që, sipas tij, janë përmbushur.
Por, përveç mosanëtarësimit të Kosovës në OKB, problem mjaft serioz, thotë Pushkolli, paraqet numri i automjeteve të paregjistruara. Ai kërkon përkushtim nga drejtoria e Policisë Rrugore të Kosovës dhe po ashtu edhe të institucioneve tjera shtetërore që kjo çështje të rregullohet si në vendet e Bashkimit Evropian.
Fokusi aktual i BKS-së është në uljen e këtij numrit të veturave të paregjistruara, pasi që paraqitet si një prej parakushteve teknike për anëtarësimin e Kosovës në sistemin e Kartonit të Gjelbër. Mirëpo, sipas BKS-së, për t’u arritur një gjë e tillë, duhet që përqindja të ishte jo më pak se 2 për qind e veturave të paregjistruara dhe pasiguruara. Aktualisht ky numër sipas BKS-së rezulton të jetë nga 35 deri në 50 mijë.