Bizneset e Kosovës kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre në portin detar të Durrësit përmes lëvizjes së mallrave tranzit nga ky port.
Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se 10 për qind e mallrave që janë përpunuar në kalatat e këtij porti gjatë periudhës janar-maj të këtij viti kanë qenë tranzit nga ose drejt Kosovës.
Duke iu referuar të dhënave portuale, në terminalin lindor një anije e specializuar është ngarkur me afro 18.6 mijë tonë mineral zinku, që vinte nga Trepça për të vijuar drejt porteve të vendeve perëndimore.
Ndërkohë, melamina, xhamat, çimento, llamarina dhe superfosfati janë mallrat e importit që kanë mbërritur me anijet tregtare në Durrës për të vijuar udhëtimin me automjete drejt tregut të Kosovës.
Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, gjatë 5 muajve të parë të këtij viti në këto janë përpunuar vetëm në terminalin lindor dhe atë të mallrave afro 608 mijë tonë mallra gjithësej, 61 mijë tonë prej të cilave për llogari të subjekteve kosovare.
Të larta deklarohet të jenë dhe volumet e përpunimit të mallrave dhe udhëtarëve drejt Kosovës edhe me tragete e kontejnerë.