Sana, 19 korrik – Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka njoftuar se numri i personave që kanë humbur jetën nga kolera gjatë 13 muajve të fundit në Jemen është rritur në më shumë se 2.300.
Në një deklaratë nga llogaria në Twitter e Zyrës së UNICEF-it në Jemen thuhet se gjatë 13 muajve të fundit nga kolera kanë humbur jetën 2.311 persona dhe se numri i rasteve të dyshuara është rritur në më shumë se 1 milion e 118 mijë.
Në deklaratë thuhet se përkundër punës së pandalshme të organizatave shëndetësore dhe ndihmave për parandalimin e përhapjes së sëmundjes, nuk po shënohet përparim për shkak të sistemit të dobët shëndetësor dhe vazhdimit të përleshjeve në vend.
Në raportin e mëparshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thuhej se duke filluar nga muaji prill i vitit 2017, të paktën 2.200 persona e kanë humbur jetën nga epidemia e kolerës ndërsa janë regjistruar 1 milion raste të dyshuara të kësaj epidemie.