Mbi 2 mijë persona të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë janë varrosur nga të afërmit e tyre pa analizë të ADN-së dhe pa autopsi.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se këto raste duhet të trajtohen përmes një plani strategjik, por që kërkon punë nga një super ekipë dhe planifikim paraprak.
“Ka edhe raste të tjera të cilat duhet të trajtohen, janë rastet ku familjarët kanë varrosur të afërmit e tyre pa analizë të ADN-së dhe pa autopsi, numri i rasteve të tilla është mbi 2 mijë. Bazuar në librin e kujtimit të Fondit Humanitar nga numri i gjithëmbarshëm 15 mijë e 533 i të vrarëve në Kosovë, pra thjeshtë duhet të bëhet një rishikim i rasteve dhe të shohim ku ndodhemi sepse ne kur kemi filluar në vitin 2003, kur është krijuar Zyra për Mjekësi Ligjore dhe Persona të Zhdukur nën administrimin e UNMIK-ut kemi filluar diku me 4 mijë e 60 raste të personave të cilët kanë qenë në listën e të zhdukurve kurse sot jemi me 1647 që është mëse e nevojshme një rishikim retro për të parë fatin e rasteve të cilat i kemi në morg”, tha ai për Ekonomia Online.
“Ky është një plan strategjik shumë serioz i cili kërkon punë të madhe, jo të një personi, por të një ekipe të tërë dhe normal që pa një planifikim paraprak nuk mundemi t’i qasemi këtij problemi, por ky planifikim nuk është në domenin tim sepse unë përgjigjem vetëm për punën profesionale që e bënë Instituti i Mjekisë Ligjore. Por, meqenëse jam tash e 20 vjet në këtë proces atëherë vetë profesionalizimi të detyron të tregon problemet që kanë ndodhur në Kosovë brenda 20 vjetëve duke marrë parasysh që ky proces nuk ka qenë dhe tash e së voni është në duart e vendorëve”.
Ai nuk e përjashton mundësinë e gabimeve në këto raste për shkak të punës që është bërë me metodë klasike.
“Janë propozuar disa plane të cilat na kanë detyruar të kthehemi retro në vitin 1999 për të cilin nuk kemi ndonjë aksion të ndërmarrë nga institucione dhe thjeshtë duhet të bëhet një planifikim apo strategji e cila parasheh një ndërhyrje shumë më serioze dhe të rikthimit të procesit sidomos tek rastet e Tribunalit të Hagës që janë mbi 4 mijë raste të cilat i kanë punuar ekipet e Tribunalit të Hagës dhe që janë punuar me metodë klasike dhe është e domosdoshme që të bëhet edhe identifikimi me ADN sepse ka mundësi që një përqindje e vogël e tyre të jenë edhe gabimisht të varrosura duke marrë parasysh rastin e Studimes ku nuk janë të identifikuar me ADN, janë të punuar nga Tribunali i Hagës me metodë klasike, por në disa raste ku familjarët kanë insistuar në hapjen e tyre kanë dalë që ata nuk janë në varrezat e tyre”.
“Nuk përjashtohet mundësia e një gabimi të një testi që e kemi bërë edhe më herët në Mitrovicë ku nga 87 raste kanë dalë 17 gabim, dmth deri në 20 për qind kanë qenë të varrosur gabimisht sepse është punuar me metodë klasike”.
Gërxhaliu në këtë intervistë ka treguar edhe për punën që është bërë gjatë këtij viti dhe rezultatet kërkimore.
Ai thotë se është gërmuar në 25 lokacione dhe janë i janë dorëzuar 10 identifikime familjarëve.
“Gjatë vitit 2019 ne kemi hapur 25 lokacione në Kosovë, punë fushore të cilën e kemi prioritet në rastet e urdhëresave të Prokurorit për Krime Lufte. Kemi punuar në tri lokacione të cilat janë hapur në Serbi ku stafi ka qëndruar për tri javë rresht edhe ato kanë rezultuar me gjetje relative. Gjatë periudhës së vitit 2019-të i kemi dorëzuar identifikimet e reja gjithsej 10 raste të cilat i janë dorëzuar familjarëve dhe prej të cilave 7 kanë qenë jashtë territorit të Kosovës, dy janë dorëzuar në kufi me Serbinë, i janë dhënë Komisionit të Grupit Punues të Palës Serbe dhe 5 tjerë janë dorëzuar në kufi me Malin e Zi sepse kanë qenë shtetas malazez. Rastet tjera janë të Kosovës, i janë dorëzuar familjarëve”.
Në këtë vit, Gërxhaliu thotë se ka pasur rreth 18 ribashkime.
“Gjatë kësaj periudhe i kemi pasur diku rreth 18 ribashkime prej të cilave 13 janë dorëzuar që ndërlidhen me rastet e vitit 1999-2002, kjo ka kuptimin e ribashkimit të pjesëve të cilat ndërkohë janë identifikuar me analizat e ADN-së prej mbetjeve mortore të cilat i kemi në morgun e Institutit. Edhe më tutje numri i mbetjeve mortore në morg është afërsisht 300 që nuk do të thotë se ai paraqet numrin e personave sepse ato mund të ribashkohen dhe disa mbetje mortore me kriju një person. Të njëjtin nuk ndërlidhen me dhënësit e gjakut të atyre familjeve të cilët veç kanë dhënë gjak”, tha Gërxhaliu për Ekonomia Online.
Rreth mostrave që gjenden në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore e që janë rreth 300, thotë se jo të gjitha i përkasin luftës së fundit në Kosovë.
Ai thotë se ato mbetje janë duke u përgatitur dhe do të varrosen në një parcelë në “Dragodan”.
“Këto mbetje mortore, rreth 300 nuk janë të gjitha të lidhura me luftën e fundit, ka raste të cilat janë të ashtuquajtura të vjetra që i takojnë periudhave më të vjetra të Luftës së Dytë apo të Parë Botërore, të njëjtat janë duke u përgatitur dhe do të varrosen në parcelën e ndarë në “Dragodan”, e cila është e ndarë decidivisht për këtë proces dhe ata do të jenë të varrosur në atë vend”, tha ai për Ekonomia Online.