Mbi 2 milionë euro për ndërtimin e Qendrës së Kompetencës, Kurti: Edukimi dhe ekonomia po bëhen bashkë

Prishtinë | 29 Nën 2024 | 11:11 | Nga Gzim Mujaj

Është vënë gurthemeli për projektin e dytë që ka filluar sot në komunën e Podujevës, atë të Qendrës së Kompetencës, në fshati Livadicë, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Albin Kurti tha se me investimet e bëra nga qeveria, edukimi dhe ekonomia po bëhen bashkë.

“Kjo shkollë e kompetencës do të ketë edhe dhoma për mësim teorik dhe mësim praktik. Konkretisht do të jenë 18 dhoma për mësim praktik, 15 për teorik dhe 17 dhoma të tjera për administratë dhe logjistikë. Kushtet do të jenë moderne. Në bazë të kontratës punëkërkuesi është zotuar për 14 muaj do t’i përmbyll këto punime dhe do të ndërlidhen me parkun industriale. Në këtë mënyrë edukimi dhe ekonomia po bëhen bashkë”, tha Kurti.

Ndërsa, kryetari i komunë së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se janë duke u bërë përpjekje që të kalohet në mësimin në një ndërrim.

“Po krijojmë një hapësirë të re duke liruar hapësira të nivelit fillor që gradualisht të bëjmë përpjekje të kalojmë në mësimin në një ndërrim. E veçanta e kësaj shkolle është se po e bëjmë në hapësirën e parkut industrial”, tha Bulliqi.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se kjo shkollë e kompetencës, e lidh edhe më shumë shkollimin me ekonominë, duke ofruar mundësi për implementimin e edukimit dual.

“Një investim i ministrisë së arsimit bashkë me komunën e Podujevës. Janë mbi 2 milion e 200 mijë euro që do të investohen në ndërtimin e kësaj shkolle të kompetencës, e cila e lidh edhe më shumë shkollimin me ekonominë, duke ofruar mundësi për implementimin edhe më të madh për projektin tonë të edukimit dual”, tha ajo.

Gjatë ditës Kurti ka marrë pjesë edhe në fillimet e punimeve për ndërtimin e sallës sportive në Shkollën “Ali Ajeti” në  fshati Sfeçël në këtë komunë.

Po ashtu gjatë ditës, Kurti do të marr pjesë në vendosjen e gur themelit të Tregut të Gjelbër.

Të ngjashme