Mbi 20 zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë në vetizolim pasi një zyrtar doli mbrëmë pozitiv për Coronavirus

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, mbrëmë ka rezultuar pozitiv për COVID-19. Menjëherë pas marrjes së rezultatit, ai është karantinuar. Në karantinë gjenden edhe mbi 20 zyrtarë të kësaj ministrie, të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarin. Ata pritet që të testohen ditëve në vijim. Se a është në mesin e të karantinuarve edhe Albulena Haxhiu, kanë dhënë detaje në këtë Ministri.

Sekretari i Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj, i ka thënë Gazetës Express se menjëherë pasi janë informuar se një prej zyrtarëve të kësaj ministrie ka dal pozitiv, kanë kërkuar nga të gjithë personat që kanë pasur kontakt me të, të vetizolohen.

Marmullakaj ka deklaruar se zyrtari i infektuar ka dhënë tre emra të zyrtarëve të Ministrisë, më të cilët ka thënë të ketë pasur kontakt.

Por, sot thotë se ka pranuar mbi 20 emra, të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarin.

“Me të marrë informacionin nga zyrtari në fjalë se ka rezultuar pozitiv, i kemi informuar zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë dhe kemi kërkuar që të vetëdeklarohen nëse gjatë javës së kaluar kanë pas kontakt me personin e infektuar. Zyrtari i infektuar i ka dhënë tre emra në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, mirëpo sot kam pranuar nga zyrtarët këtu në ministri mbi 20 emra që kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë minimal me zyrtarin në fjalë”, ka thënë Marmullakaj.

Ai thotë se ka kërkuar nga të gjithë këta zyrtarë, që të vetëkarantinohen dhe të presin informata shtesë.

Sipas Marmullakajt, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk ka pasur kontakt me këtë zyrtar.

“Ministrja nuk ka pasur kontakt me personin në fjalë”, ka deklaruar.

Deri tash, thotë se nuk ka mundur të kontaktojë me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, për të marrë informacione se kur do të testohen, derisa u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve që mund të kenë pasur kontakt me të infektuarit të vetkarantinohen.

“Për momentin nuk kam mundur të kontaktojë me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, meqenëse numri të cilin ma kanë dhanë Ministria e Shëndetësisë, del tërë kohën se është i zënë. Po vlerësoj që IKSHP’ja do të trajtojë së pari tri rastet të cilat i ka dhënë zyrtari atje. Shpresoj që zyrtarët në shërbim të shëndetit publik dhe familjarëve të tyre”, ka thënë Marmullakaj.  

Ndryshe, mbrëmë Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se gjatë ditës së hënë, një zyrtar ka rezultuar pozitiv dhe është karantinuar sipas udhëzimeve të Institutit. Rasti në fjalë është rast kontakti.

“Ministria e Drejtësisë ju njofton se të gjithë zyrtarët e tjerë të cilët kanë pasur kontakte me zyrtarin e identifikuar me Covid 19, janë karantinuar dhe pritet që ditët në vijim të testohen nga IKSHPK-ja. Ministria e Drejtësisë do ndërmarr të gjitha masat e parapara, duke dezinfektuar hapësirat e punës dhe duke vendosur masa higjenike në ambientet e MD-së”, ka njoftuar Ministria.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë me dije se mbrëmë  janë testuar gjithsej 196 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Prej këtyre mostrave, pozitive kanë rezultuar 11 raste. Rastet pozitive janë raste kontakti nga Vushtrria, Prizreni, Prishtina dhe Ferizaj.

Nga konfirmimi i dy rasteve të para më 13 mars e deri sot, në gjithë vendin janë konfirmuar 895 raste me COVID-19. Deri tani janë shëruar 657 persona, derisa betejën me koronavirusin e ri e kanë humbur 28 persona. 

Share

Të ngjashme