Mbi 200 ekspertë të sektorit të energjisë kanë marrë pjesë në konferencën e dytë të Komitetit Nacional “CIGRE Kosovë”, që vijnë kryesisht nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia, dhe vende tjera, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesja e “CIGRE Kosova” Pranvera Dobruna-Kryeziu, tha se qëllimi kryesor është të ofrojnë një platformë tërheqëse ku pjesëmarrësit nga i gjithë rajoni, duke përfshirë sektorin publik, sektorin privat, studentët, studiuesit dhe akademikët mund të përfitojnë nga ekspertiza e CIGRE në sektorin e energjisë dhe teknologjitë e reja.
Sipas saj, nëpërmjet përgatitjes së Sesioneve Plenare, Prezantimeve të Komiteteve Studiues, Prezantimeve Teknike të Sponsorëve, si dhe ekspozimit të pajisjeve elektrike, synojnë të maksimizojmë shkëmbimin e njohurive ndërmjet profesionistëve në fushën e gjenerimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.
“Kjo Konferencë po mbahet në vijim të strategjisë së sapo miratuar të CIGRE International ‘CIGRE 2023-2030’, pas vlerësimit se tranzicioni i energjisë ka rritur rolin e sektorit të energjisë në jetën e përditshme të shoqërisë, bizneseve, politike bërësve dhe rregullatorëve në mbarë botën. Si i tillë, CIGRE ka rritur gatishmërinë e tij për të ofruar ekspertizën e nevojshme për sistemin elektro-energjetik për organizatat ndërkombëtare, për palët e interesuara, si dhe për nevojat e shoqërisë në përgjithësi, derisa ne ndjekim kolektivisht tranzicionin e energjisë”.
“Në këtë kuadër, KN CIGRE Kosovë, e ka mirëpritur një perspektivë të re të CIGRE ndërkombëtare duke organizuar këtë konferencë, për të trajtuar procesin e tranzicionit të energjisë. Bashkëveprimi në mes të ekspertëve të CIGRE dhe anëtarëve tonë kolektiv, akademikëve dhe profesionistëve që punojnë në sektorin e energjisë, do të rezultojë në ofrimin e rekomandimeve të paanshme për formësimin e drejtimit te industrisë së energjisë dhe politikave, për një tranzicion të drejtë”.
“Qëllimi ynë kryesor është të ofrojmë një platformë tërheqëse ku pjesëmarrësit nga i gjithë rajoni, duke përfshirë sektorin publik, sektorin privat, studentët, studiuesit dhe akademikët mund të përfitojnë nga ekspertiza e CIGRE në sektorin e energjisë dhe teknologjitë e reja. Nëpërmjet përgatitjes së Sesioneve Plenare, Prezantimeve të Komiteteve Studiues, Prezantimeve Teknike të Sponsorëve, si dhe ekspozimit të pajisjeve elektrike, ne synojmë të maksimizojmë shkëmbimin e njohurive ndërmjet profesionistëve në fushën e gjenerimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike”.
“Diskutimet do të përqendrohen në strategjinë e energjisë, me fokus zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe teknologjive të reja që mundësojnë fleksibilitet (BESS, Hidrogjen), zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme që mundëson integrimin e burimeve të rinovueshme, për tregun e shërbimeve ndihmëse si dhe për qëndrueshmërinë e sistemit gjatë procesit të tranzicionit”.
“Gjatë sesionit të tretë mbi WiE (Gratë në Energji), panelistët do të prezantojnë politikat e kompanive të tyre përkatëse për njohjen e kontributit të grave në përshpejtimin e tranzicionit të energjisë, me fokus në mbështetjen e grave në të gjitha fazat e zhvillimit të burimeve të rinovueshme, deri në punësimi dhe mbajtja ne pune. Panelistët janë përfaqësues të kompanive vendore dhe ndërkombëtare që janë aktive në sektorin e energjisë”.
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli, tha se duhet të punohet në vazhdimësi nga institucionet përgjegjëse që mos të jemi kaq të varur nga krizat energjetike.
Sipas saj, është i nevojshëm bashkëpunimi i të gjithëve në mënyrë që të gjenden forma alternative, duke mos e ndotur ambientin, raporton EO.
“Ne po mundohemi që planetin tonë kolektivisht ta mbrojmë nga degradimi i mëtejmë klimatik dhe nga lirimi i gazrave, ku sigurisht që sektori energjetik ka një rol kyç për të luajtur ku nga ana tjetër zhvillimet e viteve të fundit na kanë përkujtuar më mirë se kur flasim për energjinë, nuk po flasim thjesht për një sektor ekonomik por po flasim për një sektor strategjik, po flasim për siguri kombëtare, andaj edhe politik bërja dhe zgjidhjet teknike që vijnë, duhet ta kenë parasysh jo vetëm sektorin tradicional dhe zgjidhjen teknike aktuale, mirëpo duhet ta kenë parasysh edhe konsideratat gjeopolitike që po bëhen gjithnjë të ndërlikuara dhe në politik bërje të kenë parasysh që të kemi tregje e bashkëpunim me shtetet që ndajmë vlerat dhe nga ana tjetër të kemi pavarësi energjetike në mënyrë që të mos të jemi kaq të ndjeshëm ndaj krizave energjetike”.