Në Stacionin Hekurudhorë në Fushë-Kosovë, u mbajt ceremonia e fillimit të punimeve në rehabilitimin e fazës së parë të linjës së 10-të hekurudhore, Prishtinë-Hani i Elezit, raporton Ekonomia Online.
Rruga 10 është pjesë e zgjerimit të Korridoreve Esencial të Rrjetit Trans-Evropian të Transportit në Ballkanin Perëndimor. Ka një gjatësi të përgjithshme prej 256 km, nga të cilat 149 km janë në Kosovë.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se Kosova mund të mburret me përparimet që po ndodhin në infrastrukturën rrugore, mirëpo ajo ka ngecur dhe është shumë keq me infrastrukturën hekurudhore.
“Dikur prej këtu jo vetëm qytetarët tonë por edhe mallrat e Kosovës kanë marrë drejtim në tregjet evropiane. Ne sot së bashku jemi mbledhë me shënu një ngjarje të re e cila ka disa dimensione. I pari kusht për zhvillim të një vendi është një plan biznesi. Infrastruktura është parakusht i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik. Kosova mund të mburret me përparimet që po ndodhin në infrastrukturën rrugore mirëpo po ngecim shumë me infrastrukturën hekurudhore, jemi shumë vonë dhe shumë keq. Ne kemi disa aspekte të tjera infrastrukturore që na sfidojnë si infrastruktura energjetike. Në Drenas jemi të rrezikuar me një infrastrukturë energjetike të vjetërsuar. Ne kemi problem me gjendjen tonë për trajtimin e ujërave të zeza. Kosovës i duhet poashtu me siguru rezerva të ujit. Ne kemi ujë, por uji e lëshon Kosovën brenda 24 orëve pasi nuk kemi rezerva”, tha Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj tha që është në interes të Kosovës që të kemi një linjë hekurudhore edhe me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Ne kemi lidhje hekurudhore me Serbinë e Maqedoninë Veriore, por nuk kemi me Shqipërinë e Malin e zi, andaj është interes i gjithë BE-së që të ketë një linjë hekurudhore Kosovë-Durrës. Ne na mungon edhe infrastruktura e gasit natyror”, tha Haradinaj.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, tha se Kosova dalë nga dalë po bëhet destinacion dhe transit i shumë qytetarëve të Evropës.
“Sot po fillojmë një projekt që i kthen qytetarët në transportin hekurudhor. Nga këtu e në drejtim të Hanit të Elezit po fillon faza e parë e udhëtimeve në vlerë prej 71 milion eurove. Është një segment që i lidhë qytetarët dhe kufijtë. Ne kemi edhe linjën për Podujevë e Aeroport. Mendoj që duhet ta zhvillojmë edhe linjën me Shqipërinë. Kosova ngadalë po bëhet destinacion për transit i shumë qytetarëve të Evropës”, tha Lekaj, raporton EO.
Kryeshefi i Infrakosit, Agron Thaçi, tha se projekti për rehabilitimin dhe modernizimin e linjës 10 paraqet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore që Kosova ka përfituar nga korniza e BE-së, duke shtuar se renovimi i kësaj linje ishte bërë në viti 1974.
“Projekti për rehabilitimin dhe modernizimin e linjës 10 paraqet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore që Kosova ka përfituar nga korniza e Be-së. Renovimi i fundit i kësaj linje është bërë në vitin 1974. Linja e 10 është planifikuar të implementohet në 3 faza. Faza 1: Fushë Kosovë – kufiri me Maqedoninë Veriore; Faza 2: Fushë Kosovë – Mitrovicë; Faza 3: Mitrovicë – kufiri me Serbinë. Kosotoja financiare e implementimit është planifikuar të jetë mbi 200 milionë euro”, tha Thaçi.
Luigi Brusa nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se ky projekt do përmirësojë sigurinë dhe efiçiencën e transportit hekurudhor dhe do shërbejë në përmirësimin e zonës ekonomike regjionale.
“Është një nga kornizat kryesore që mbështet synimet socio-ekonomike. Gati 200 milionë euro grante janë ndarë për projekte madhore në infrastrukturë. 190 milionë euro nga ky 1 miliardë janë ndarë si grante për Kosovën. 11 milionë janë ndarë për ngrohjen qendrore në Prishtinë. Ka edhe më shumë projekte tjera dhe sot jemi këtu për të shënuar fillimin e punëve për fazën e parë të korridorit. Shumë shpejt edhe projekti i dytë do fillojë nga Fushë-Kosova në Mitrovicë për të cilin kemi ndarë një grant prej 17 milionë euro. Hekurudha nënkupton shumë punë dhe një nga më të rëndësishmet është siguria. Shumë shpejt do të fillojë rehabilitimi i hekurudhës Fushë-Kosovë-Podujevë. Ky projekt do të përmirësojë sigurinë dhe eficiencën e transportit hekurudhor. Ky projekt do shërbejë në përmirësimin e zonës regjionale ekonomike”, tha ai, raporton EO.
Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovë, Neil Taylor, tha se kjo linjë do të mundësojë lidhjen me pjesën tjetër të Evropës. Ai shtoi se deri tani BERZH-i ka investuar në Kosovë rreth 400 milionë euro.
“Kjo linjë do ju mundësojë lidhjen me pjesën tjetër të Evropës, deri më tani kemi investuar gati rreth 400 milionë euro prej që është bërë Kosova pjesë e BERZH-it në vitin 2012. Përkundër disa vonesave të caktuara sot po tregojmë që treni tashmë është duke lëvizur pa ndalë në Kosovë. Në fund projekti do të ketë një ndikim pozitiv fiskal. Shpresoj që ky projekt do të shërbejë si një eksperiencë e mirë”, tha ai.
Investimi i përgjithshëm i Fazës 1, është 94.5 milionë euro nga të cilat 38.54 milionë euro janë grante nga BE-ja, 19.2 milionë euro janë kredi nga BERZH-i dhe 19.25 milionë euro janë kredi nga Banka Evropiane e Investimeve ndërsa pjesa tjetër është kontribut i përfituesit.