Mbi 250 infermierë kosovarë sivjet do të punësohen në Gjermani

Prishtinë | 20 Sht 2016 | 13:42 | Nga

Përmes programit Gjermano-Kosovar për Arsim dhe Karrierë të organizuar nga “Qeap-Heimerer”, do t’u mundësohet punësimi i mbi 250 infermierëve kosovarë në spitalet gjermane.

Programet e tilla u vlerësua janë mundësi reale e shtetit që të rinjtë e Kosovës të bëhen pjesë e bashkësisë evropiane.

Drejtori i “Qeap-Heimerer”, Petrit Beqiri është i bindur se dy sektorët, arsimi dhe shëndetësia janë dhe do të mbesin ndër sektorët me prioritet për punësimin e kosovarëve profesionistë në Gjermani.

Ai tha se ky grup prej mbi 250 infermierëve nuk është i pari e as i fundit për punësim me kontrata fillestare dy vjeçare.

“Kosova ka njerëz të aftë dhe të mjaftueshëm për të punuar në tregun e huaj. Dhe për fat të mirë, mundësitë për të dërguar profesionistë shëndetësorë jashtë Kosovës janë reale. Ne, përmes këtij programi do të mundësojmë që të rinjtë profesionistë të Kosovës të jenë të barabartë me profesionistët ndërkombëtarë”, u shpreh Beqiri.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, u shpreh se pasuria më madhe e Kosovës është rinia dhe ky program tregon se perspektiva e programeve të tilla janë e ardhmja, dhe kjo është mundësi e krijimit të kuadrove profesionale për tregun gjerman.

“Kjo ka nisur si ide edhe me Ambasadën Gjermane, që të bëjmë shkëmbime të organizuara të punëtorëve shëndetësorë për tregun gjerman, dhe një pjesë e tyre që do të kthehen do të krijojnë parakushte që të ndryshohet sistemi shëndetësor në Kosovë dhe do të krijohet mundësia e krijimit të një lidhjeje të natyrshme mes Kosovës dhe BE-së. Ky program dëshmon se kemi shkolla që ofrojnë cilësi dhe kapacitetet jo vetëm për tregun kosovar, por edhe atë ndërkombëtar”, theksoi Sadiku.

Këtij punësimi, i është gëzuar edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili tha se është hera e parë që kosovarët nuk po shkojnë si azilkërkues, por sipas tij, si profesionistë.

Ai tha se është një imazh i mirë për Kosovën. Punësimi ka karakter edhe aftësim profesional për të rinjtë kosovarë, por nevojitet edhe zotërimi i gjuhës gjermane dhe kualifikim shkollor.

“Ky Program është dëshmia më e mirë e konkretizimit të punës sonë të përbashkët dhe është një imazh i ri për Kosovën si dhe një mundësi e jashtëzakonshme”, potencoi ministri Abrashi, duke inkurajuar të rinjtë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të përfitojnë nga studimet cilësore në ‘Qeap-Heimerer’ dhe “përvoja që ju ofrohet në Gjermani, të kthehen në Kosovë me ide kreative që ta ndihmojnë Kosovën”.

Të ngjashme