Qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës, në numër të madh kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se vetëm gjatë periudhës janar- gusht të këtij viti, 3519 persona janë liruar nga shtetësia, përkatësisht nënshtetësia e Republikës së Kosovës.
Rroksana Qarri, drejtore e zyrës për komunikim publik në këtë ministri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nga viti në vit po shënon rritje numri i personave që kërkojnë lirimin nga nënshtetësia e Kosovës.
Arsyeja e lirimit nga nënshtetësia, sipas saj, në të shumtën e rasteve ka të bëjë me atë se shumë shtete evropiane nuk lejojnë dyshtetësinë për shtetasit që nuk janë pjesë e Bashkimit e Evropian, ndër to edhe Kosova.
“Gjatë periudhës janar-gusht 2019, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar gjithsej 3519 persona. Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikë së Kosovës është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dyshtetësinë, përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian. Duke pas parasysh që një numër i madh i shtetasve tonë jetojnë tashme me vite në këto shtete, e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e fitimi të shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme, në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi”, thotë Qarri.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga viti 2009 deri në vitin 2018 mbi 40 mijë shtetas të Republikës së Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Mesatarisht në vit, nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5 mijë qytetarë.
Bazuar në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, llogaritet të jenë deri në 800 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës, por në regjistrimin e diasporës, proces i nisur nga autoritetet e Kosovës vite më parë, deri më tani janë regjistruar vetëm rreth 400 mijë qytetarë.
Numri më i madh i tyre jetojnë në shtetin e Gjermanisë, pasuar nga Zvicra e të tjera.
Fjolla Vukshinaj nga organizata joqeveritare ‘Germin’, që merret me organizmin e diasporës, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri në rritje i qytetarëve që lënë nënshtetësinë e Kosovës është shqetësues.
Heqjen dorë nga nënshtetësia e Kosovës, shton Vukshinaj, qytetarët të cilët jetojnë jashtë Kosovës e bëjnë për shkak se janë të detyruar, duke marr parasysh që disa shtete te Bashkimit Evropian nuk lejojnë shtetësinë e dyfishtë, siç është rasti me Gjermaninë.
Megjithatë, ajo thotë se pavarësisht se këta qytetarë të Kosovës kanë hequr dorë nga nënshtetësia, Kosova përmes Ligjit për diasporën duhet të krijojë mundësinë e inkuadrimit të tyre në jetën shoqërore në Kosovë.
“Ne duhet të bëjmë përpjekje që pavarësisht largimit nga vendi apo heqjes dorë nga shtetësia, të ofrojmë rrugë të tjera ligjore për të përfshirë sa më shumë potencialet e diasporës në jetën politike, kulturore, ekonomike dhe sociale. Kjo ngase diaspora jonë nuk është tipike, sikurse diasporat e shumë vendeve të botës, sepse pavarësisht heqjes dorë nga nënshtetësia, ata përsëri vazhdojnë të mbesin të lidhur me vendin amë (me Kosovën) dhe vazhdojnë të kontribuojnë në forma të ndryshme”, thotë ajo.
Ekonomia e Kosovës përgjatë viteve është varur nga paratë, të cilat dërgohen nga qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Remitencat e pranuara në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore.
Vetëm në vitin 2018 vlera e remitencave, kap shumën e 800 milionë eurove