Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka mbajtur tryezë diskutimi për Ditën Ndërkombëtare të Epilepsisë, raporton Ekonomia Online.
Valbona Govori, Kryetare e Shoqatës Kundër Epilepsisë në Kosovë, ka kërkuar që të ngritët vetëdija e shoqërisë ndaj kësaj sëmundje, teksa ka bërë thirrje nda institucionet përkatëse që kjo të futet si sëmundje me prioritet për trajtim.
“Shoqata jonë kundër epilepsisë ka qëllim sensibilizimin, ngritjen e vetëdijes publike dhe profesionale në lidhje me epilepsinë duke u bazuar në fakte të vërteta mbi epilepsinë. Epilepsia është çrregullim trunor. Sulmet ndërpriten shpejtë, por kanë tendencë të përsëritjes”, u shpreh ajo.
Ajo ka thënë se epilepsia paraqitet në çdo moshë, mirëpo nuk ka dhënë një shifër të saktë për rastet në Kosovë pasi sipas saj mungojnë mjetet e duhura për një matje të tillë.
“Paraqitet në çdo moshë. Diku 50 për qind, 50 milionë njerëz në botë vuajnë nga kjo sëmundje. Në Evropë 6 milionë njerëz. Nuk mund të hapim shifër të saktë sepse na mungojnë mjetet, por në bazë të një hulumtimin në klinikën e neurologjisë 415 raste kanë frekuentuar klinikën tonë. Por duhet pasë parasysh se pacientët nuk vizitojnë vetëm këtë klinikë, por u drejtohen edhe institucioneve të tjera prandaj nuk mund të japim ndonjë statistikë”, tha Govori.
Kushtet jo të mira financiare, ajo i ka quajtur faktor shtesë që kjo sëmundje të mos mund të trajtohet.
“Nga ky 50 milionë rreth 85 për qind janë njerëz që jetojnë me epilepsi me të ardhura mesatare prandaj e bën më të vështirë trajtimin e tyre. Njerëzit që kanë epilepsi është barrë më e rëndë se paraqitja e sulmeve epileptike. Vitin e kaluar kur kemi është lansu një spot, kemi pasë problem me gjet një pacient me dalë para kamerave. Është situatë e rëndë dhe komplekse që nuk mund të zgjidhet prej individëve apo shoqatave prandaj po bëjmë thirrje t’i bashkojmë forcat. Institucioni i parë është ministria e Shëndetësisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe qëllimi është që në ministri të hyjë si sëmundje me prioritet”, tha ajo, raporton EO.
Kryetari i Shoqatës së Neurologëve të Kosovës, Afrim Blyta, ka thënë se në trajtimin e kësaj sëmundje është e rëndësishme trajtimi i barabartë femra dhe meshkuj, pasi sipas tij femrat janë të stigmatizuara në këtë aspekt.
“ Zhvillimi i një populli varet prej emancipimit të gruas dhe femrës në shoqëri dhe një gjë e tillë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nuk është lehtë, procesi është i vështirë, por procesi i emancipimit të shoqërisë kalon përmes emancipimit të femrës në shoqëri. Stigmatizimi i burrave është më i vogël. Jeta e tyre është më e lehtë. Në momentin kur femra ekzaminohet me epilepsi jeta e saj rrënohet, momenti kur vajza juaj ka epilepsinë apo një femër afër jush ka epilepsi ajo është e stigmatizuar në rrethin tuaj. Nuk është vetëm edukimi, por është mbështetja e vazhdueshme që femra ta ketë në shoqërinë kosovare dhe kjo është vendi i barabartë me atë të mashkullit”, u shpreh ai.
Nexhmedin Shala, drejtor i Klinikës së Neurologjisë, ka përmendur disa nga vështirësitë që hasën me epilepsinë.
“Në krahasim me potencialin diagnostifikues kemi vështirësi evidente që në ditët në vijim t’i reduktojmë sa më shumë. Ende çalojmë me diagnostifikim laboratorik të shumë llojeve të epilepsisë, ende kemi problem me listën esenciale të trajtimit të kësaj sëmundje dhe vështirësia e tretë është kirurgjia e cila çalon”, tha ai.
Psikiatri Farih Drevinja ka thënë se kjo sëmundje sjell edhe probleme psikike.
“Këto raste kanë manifestuar probleme me ligjin, por fatmirësisht vepra të lehta penale. Pra këta pacientë kanë rëndësi edhe për klinikën psikiatrike”, tha ai.