Më shumë se 400 persona kanë mbetur të vdekur në Ghoutan Lindore, përderisa sulmet ajrore të qeverisë së Sirisë, e mbështetur nga aeroplanët luftarak të Rusisë, po vazhdojnë në zonën e kontrolluar nga rebelët.
Observatori Sirian për të Drejta të Njeriut ka bërë të ditur që të paktën 403 persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e këtyre sulmeve që filluan ditën e diel, këtu duke përfshirë 150 fëmijë.
Afërsisht 2,120 të tjerë kanë mbetur të lënduar.
I dërguari special i OKB-së, Staffan de Mistura, ka theksuar nevojën urgjente për një armëpushim.
“Situata humanitare në Ghoutan Lindore është e tmerrshme, andaj kemi nevojë urgjentisht të kemi një armëpushim që do të ndalonte bombardimet tmerruese në Lindje të Ghoutas dhe raketat në Damask” është shprehur Mistura.
Gjithashtu ai tha se armëpushimi duhet të përcillet me ndihmë humanitare të menjëhershme, në mënyrë që të lehtësohet evakuimi i të lënduarve, përderisa e vlerësoi këtë gjendje si përsëritje të Aleppo-s.