Lirimi i masave dhe lejimi i gastronomisë që të punojë deri në ora 23:00 nuk e ka kënaqur Shoqatën e Gastronomisë, raporton Ekonomia Online.
Këta thonë se me këtë orar kanë funksionuar me muaj të tërë, teksa thonë se kanë vështirësi për të mbijetuar.
Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vrainca, ka thënë për Ekonomia Online se 2 mijë biznese konsiderohen se janë mbyllur për shkak të pandemisë, ndërsa biznese të tjera janë detyruar të largojnë punëtorët.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që të ketë lirim të tërësishëm të masave ose mbështetje financiare.
“Kjo është veç një kthim i masave të kaluara. Deri në ora 23:00 kanë funksionuar me muaj bizneset e gastronomisë, ani pse kanë pasur hapësirë të lirohen. Rekomandimet e OBSH-së nuk janë përfillur nga Qeveria. Nuk po themi që mos të ketë masa, por po themi që masat që i vendosin të veprojmë strategjikisht që të kemi kujdes nga personat që futen brenda territorit të Kosovës që të jenë të kontrolluar dhe jo të pakontrolluar e të mbyllet një ekonomi”.
“Gastronomia ka vështirësi në likuiditet. Shumica e bizneseve kanë larguar punëtorë prej punës, kanë pasur probleme me qira dhe ka pasur dëm të madh. Rreth 2000 biznese konsiderohet që janë më pak. Ose duhet me pasë lirim ose mbështetje financiare. 10 mijë punëtorë kanë humbur vendin e punës. Këto të gjitha kanë ndikuar që përsëri të hasim në vështirësi për likuiditet”, tha Vrainca.
Ndërsa Diar Sada nga kafiteria “De Rada”, e ka mirëpritur lirimin e masave, pasi sipas tij funksionimi deri në këtë orë i ndihmon sado pak gastronomët.
Ai tutje shtoi se nëse edhe një herë Qeveria merr vendim për masa të reja, atëherë edhe punëtorët e këtij lokali janë të rrezikuar të humbin vendin e tyre të punës.
“Tani nuk ka rrezik që mund të infektohemi ose të kemi nevojë për masa të shtuara të mbylljes apo diçka tjetër, sepse shumica e popullatës janë vaksinuar tanimë. Besoj që nuk është e nevojshme më të ndalin gastronominë ose të mbyllin lokalet më herët siç ka ndodhur deri më tani, sepse është mëse e nevojshme sidomos për ne të vazhdojmë punën si zakonisht siç kemi punuar deri në orën 23:00. Besoj që nuk do të marrë masa të tjera Qeveria, sepse kështu nuk mund të vazhdojmë”.
“Tek ne nuk ka humbur asnjë punëtor vendin e punës sepse kemi zvogëluar orarin e punës si të paradites, po ashtu edhe të pasdites… Por nëse vazhdohet me masa nga Qeveria, mund të na rrezikohet vendi i punës, po ashtu edhe zvogëlohet puna”, tha Sada.

