Institucioneve të Kosovës nuk u kanë mjaftuar shtatë vjet për të vënë në zbatim përdorimin e arkave fiskale.
Janë sidomos tregtarët e karburanteve që gjatë këtyre viteve kanë treguar se si fuqia e tyre ekonomike sfidon shtetin deri në dorëzim. Ky komunitet i biznesit llogaritet të ketë qarkullimin më të madh vjetor në nivel vendi, shkruan sot Koha Ditore.
Vlera e tregtimit të karburanteve në Kosovë arrin në afro 700 milionë euro në vit.
Nga 539 pika të shitjes së derivateve, vetëm 258 prej tyre apo 48 për qind janë pajisur me arka fiskale, ndërsa 52 për qind apo 281 pika të shitjes vazhdojnë të operojnë pa arka fiskale. Këto të dhëna janë evidentuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për Administratën Tatimore të Kosovës për vitin 2016. Aty thuhet se me gjithë që ATK-ja në planin e punës kishte caktuar si detyrë kryesore fiskalizimin e bizneseve që merren me tregtimin e derivateve, as 50 për qind nuk kanë operuar në përputhje me ligjet në fuqi. (Koha Ditore)