Mbi 6 milionë nënshkrime, lëshim mësimi e protesta kundër ekzekutimit të një amerikani

Prishtinë | 18 Nën 2021 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Qindra nxënës e lëshuan mësimin të mërkurën në përpjekjen e fundit për ta bindur guvernatorin e shtetit amerikan, Oklahoma, që ta shpëtojë nga dënimi me vdekje një të dënuar, i cili pritet të ekzekutohet të enjten.

Në vitin 2002, Julius Jones u dënua me vdekje për vrasjen e Paul Howell-it gjatë një vjedhje të veturës, që kishte ndodhur tre vjet më parë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

I dënuari nuk e ka pranuar fajin. Rasti i tij ka tërhequr përkrahje të figurave të famshme dhe veprimtarëve kundër dënimit me vdekje.

Ekzekutimi i tij është caktuar për orën 4 të pasdites sipas kohës lokale (në orën 23, sipas zonës kohore në Kosovë). Shpresa e fundit për zbutje të dënimit të dënuarit i ndodhet në duart e guvernatorit nga radhët e Partisë Republikane, Kevin Stitt.

Guvernatori ende nuk ka marrë vendim për rekomandimin e Bordit për Falje e Lirim me Kusht, i cili me 3 vota për e 1 kundër ka rekomanduar që dënimi i burrit të zbutet në dënim me burgim të përjetshëm me mundësi të lirimit me kusht.

Rasti ka marrë vëmendje të madhe në vjetët e fundit, pjesërisht për shkak të një dokumentari të vitit 2018, të titulluar “The Last Defense” (“Mbrojtja e Fundit”).

Më shumë se gjashtë milionë njerëz kanë nënshkruar një peticion të quajtur “Drejtësi për Julius-in”, në të cilin thuhet se ai është dënuar me vdekje shkaku i “dobësimeve themelore në sistemin (trunor) që merret me marrjen e vendimeve”.

Të mërkurën në mëngjes, nxënësit e disa shkollave të mesme në qytetit Oklahoma e braktisën mësimin në shenjë të përkrahjes për zbutjen e dënimit për të dënuarin me vdekje.

Të ngjashme