Mbi 720 mijë persona të aftë për punë nuk përfshihen në statistikat e punësimit

Prishtinë | 17 Maj 2017 | 08:10 | Nga

Krahasuar me vitin 2015, shkalla e fuqisë joaktive ose personave që konsiderohen në moshë pune, por që nuk kërkojnë punë, ka rënë për 1.1 për qind në vitin 2016. Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), që është publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, fuqia joaktive në Kosovë është 61.3 për qind. Kjo, sipas raportit të ASK-së, vlerësohet të jetë shumë e lartë.

“Fuqia joaktive është mjaft e lartë, ose 61.3 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 81.4 për qind, krahasuar me meshkujt, me 41.7 për qind. Krahasuar me AFP-në e vitit 2016 në Kosovë, kemi rënie të shkallës së joaktivitetit me 1.1 për qind, ku kjo rënie te meshkujt ishte 1.6 për qind, përderisa te femrat ishte vetëm 0.5 për qind”, thuhet në këtë raport.

Sipas rezultateve të AFP-së për vitin 2016, shkalla e papunësisë është 27.5 për qind. Papunësia thuhet se është më e theksuar tek femrat me 31.8 për qind, krahasuar me meshkujt, 26.2 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë, sipas anketës, është tek grupmoshat 15-24 vjeçare me 52.4 për qind. Në këto rezultate nuk janë përfshirë 726 mijë e 699 persona joaktivë me moshë 15-64 vjeç, që në katër vjetët e fundit nuk kanë kërkuar punë.

Këto shifra të punësimit vazhdimisht janë demantuar nga njohës të ekonomisë.(Koha Ditore)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme