Kush e huqi dhe kush e skuqi
: Edhe para se të fillojë
fushata zyrtarisht , disa muaj më parë , liderët e subjekteve politike garuese
premtuan se listat do të jenë befasi për të mirë dhe se në këto lista nuk do të
ketë kandidatë të kriminalizuar duke menduar këtu për vepra siç janë
korrupsioni , krimi i organizuar dhe nepotizmi. Kishim dy skaje të kundërta ;
disa ambasadorë dhe e ashtuquajtura shoqëri civile që kërkonin pastrim të
listave ndonëse , sidomos disa nga shoqëria civile asnjëherë nuk u ishin
nënshtruar lavazhit e që e kërkojnë nga të tjerët , jo pse mbështeten në parime
apo standarde morale por se mendojnë se duke u bërë zgjatje e kërkesave të disa
ndërkombëtarëve do të përfitojnë fonde dhe , subjekteve politike që iu
nënshtruan dhe po iu nënshtrohen presioneve, edhe në kundërshtim me ligjin. Për
pastrimin e listave nuk po merret parasysh standardi ligjor por ai moral apo
kanunor . Sipas ligjeve në fuqi është e qartë procedura se si kufizohet e
drejta për të garuar në zgjedhje , për të votuar dhe për t’u votuar. Pa një
vendim përfundimtar të një gjykatae kompetente e cila e shqipton këtë masë ,
askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar , për të votuar apo për ta
kërkuar votën. Në çdo rast tjetër kemi të bëjmë me shkelje flagrante të parimit
kushtetuese për presupozimin e pafajësisë e që duhat ta kenë të qartë , edhe
ambasadorët por edhe shoqëria civile apo individë të shndërruar në gjuajtës apo
grabitës të fondeve . në të kundërtën , çdo vendim tjetër arbitrar Gjykata
Kushtetuese do ta anulonte . KQZ nuk ka të drejtë në mënyrë arbitrare apo për
shkak të presionit të një segmenti të shoqërisë të mos e certifikojë një parti apo
kandidat , qoftë anëtarë të partisë apo të pavarur. Standardi moral nuk mund të
zëvendësojë ligjin dhe , në të shumtën e rasteve morali dhe ligji e
përjashtojnë njëri – tjetrin ; çka është e moralshme nuk do të thotë
domosdoshmërisht se është e ligjshme dhe , gjithashtu , nuk është çdo ligj
shembëlltyrë e moralit ! Po të ishte përcaktues morali , Lista Serbe kurrë nuk
do të certifikohej nga KQZ. Në shtetet me një demokraci të zhvilluar dhe të
konsoliduar , standardi moral thuaja është mbi ligjin apo vet ligji. Jemi
dëshmitarë kur ndonjë personalitet i lartë politik në vendet demokratike bënë
shkelje të ligjit , qoftë edhe të vogël , nuk pret të shkarkohet por se jepë
dorëheqje menjëherë. Kryesisht për arsye morale! Ne në Kosovë sikur edhe të
gjitha vendet dhe shtetet e Ballkanit jemi shumë larg këtij standardi. Do të
jemi larg edhe për një kohë ! Pajtohem që një i akuzuar për disa vepra që janë
në kundërshtim me moralin profesional dhe njerëzorë nuk duhet fare të garojnë
në zgjedhje , pa pasur nevojë të hiqen nga lista , pas një presioni të madhe .
Mendoj se duhet të jetë rregull i përgjithshëm se të gjithë ata që kanë bërë
krime kundër njerëzimit , krime të luftës apo që kanë rënë në kundërshtim me të
drejtën humanitare duhet përjetësisht të përjashtohen nga politika përmes një
mase të shqiptuar nga gjykata kompetente. Po nuk është kjo lakmi vetëm te ata
që merren , mendojnë se merren apo bëjnë përpjekje të merren me politikë ; edhe
udhëheqësit e sporteve që po arrijnë sukses në skenën botërore falë
përkushtimit dhe ndershmërisë , janë thellësisht të kriminalizuar , me aktakuza
por edhe me vendime të formës së prerë të gjykatave kompetente për aktivitete
kriminale. Pastaj , edhe disa prej neve
të së ashtuquajturës shoqëri civile , i bashkohemi politikës për shkak të
lakmisë për pushtet dhe për poste dhe kur dështojmë , përsëri kthehemi aty ku
kemi qenë tërë kohën . Ku shihni ju këtu moral e që pastaj i akuzoni të tjerët
për mungesë morali ?! Pastaj , në bazë cilave kritere kërkoni që të hiqen nga
lista ata që kanë qenë të dënuar për vepra jokorruptive dhe që e kanë vuajtur
dënimin siç është rasti i Bajrush Xhemajlit , aktivistëve të LVV që rrotullonin
veturat e EULESH-it e tani ndiqen ndonëse ka kaluar një shekull nga ato
aktivitete apo gjuajtësev me vezë. Nuk kanë bërë aktivistët e LVV vepra të
krimeve të luftës apo krimeve kundër njerëzimit e që ato të mos vjetërsohen.
Nuk jam fare jurist dhe jam krejtësisht leshko në këtë fushë mirëpo nga përvoja
e gjatë në burgje dhe gjatë marrjes në pyetje nga hetues të UDB-së ( Sigurimi
shtetërorë i Jugosllavisë ) dhe oficerë të KOS –it ( Shërbimi Kundërinformativ i Ushtrisë
jugosllave ) si dhe gjatë përvojës së gjatë në organizatën ku punoj , Aktakuza
ndaj Xhavit Halitit ( nëse është ngritur ) nuk ka asnjë element të veprës
penale e as të kundërvajtjes . Madje , një Gjykatë edhe jo aq profesionale nuk
do të merrej fare me këtë aktakuzë ! Ma merr mendja se edhe gjykata apo
Këshilli i Pleqëve të Bangladeshit do të
shqepej së qeshuri po ta merrte një aktakuzë të tillë ! Jo pse është në pyetje
Xhavit Haliti apo Gani Dreshaj por , nëse edhe Marko Gjuriq do të akuzohej me
këto ” prova “ , reagimim do ta kisha tëi njëjtë ! Ndoshta ka diçka që unë nuk
e shoh apo as opinioni nuk e sheh mirëpo po ta bënte këtë aktakuzë edhe Shefqa
, do të dukej morbide dhe qesharake ! Mendoj se të gjitha listat janë kryesisht
të pastruara dhe në përputhje me ligjet në fuqi . Po të analizojmë pakëz këto
lista që , sipas interesit , dikush i mbronë e dikush i sulmon .
- Lista e Lidhjes Demokratike të Kosovës : Në dukje dhe përbërje duket të jetë lista më e pastër . Të gjithë ata që
kanë qenë pjesë e proceseve gjyqësore për korrupsion apo krim të organizuar ,
në marrëveshje midis palëve janë larguar nga lista . Kjo listë e bënë LDK-në të
besueshme kur deklaron se është kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E
dekriminalizon listën e cila nuk ka dalluar më parë nga listat tjera .
Varësisht nga proceset politike dhe kush do ta ketë pushtetin , ata që janë në
listë e që janë të pastruar e që publiku dhe zogjtë e Madagaskarit e dijnë se janë të korruptuar dhe se janë
bërë milionerë nga krimi , ende do të mbesin të pastruar apo do t’iu
nënshtrohen spastrimit para drejtësisë. Lista e LDK-së është punë dore e endur
me saktësinë e një filigranisti , Isa Mustafës i cili e amortizoi çdo
kundërshtim , të gjithëve iu premtoi diçka kurse ate që bëri emër në saje të
opozitarizmit ndaj Isa Mustafës , fatosen apo pioneren Vjosa Osmanin që e dha
betimin solemn se kurrë nuk do të bëjë koalicion me PDK-në , e propozoi për
kryeministre. Isa e ka luajtur ruletin rus me mjeshtëri duke iu shmangur të
gjitha plumbave të kundërshtarëve brenda LDK-së apo , me një fjalë ua ka lagur
barotin. Edhe Kryesinë e bëri sipas projektit që i përshtatej , kundërshtarët e
zëshëm i futi brenda , kriminelët i la jashtë por ua rehatoi dikend prej
familjarëve duke i sistemuar të gjithë si ushtarët prej argjili në sheshin Tien ah Men të Pekinit. Për
lëvizje të shpejta dhe të suskesshme në politikë , Isa Mustafa i ka nokautuar
të gjithë rivalët politikë , në aspektin afatgjatë e ka vënë para falimentimit
LDK-në . Po duket se Isai , kur ka vendosur ta qëndisë LDK –së ashtu si e ka
bërë është udhëhequr nga parimi i Luigjit të XV –të ,; “ pas meje të ndodhë
kijameti…”. LDK nuk ka pasur prurje , as spektakolare e as të reja por se e
ka ruajtur substancën , edhe të ashtëzuar ( elefantët legjendarë ) si edhe këta
skifterër që kishin shumë ambicie por se mbetën pa pupla në kohën kur armën më
të fortë , sqepin gjithmonë e kanë pasur të topitur. Lista e LDK-së , sikur
listat e të gjitha subjekteve tjera është listë e kompromisit . listë e
pazareve dhe listë e shantazhit. Por e maskuar shumë mirë dhe mjeshtërisht dhe
taktikisht mirë e udhëhequr nga Isa Mustafa ! Vlerësoj se dëmin më të madh po
ia bëjnë LDK-së këta që po kanë qëndrim shumë armiqësorë ndaj Lista……PDK-së
, që po betohen me shaminë e pioneres sikur edhe koçemadhi dhe njeriu kryesorë
i LDK –së në këto 20 vitet e fundit , pa pëlqimin e të cilit nuk është marrë
asnjë vendim , Ismet Beqirit i cili , për të treguar se është alfa politikani i
LDK-së , vendosi , jo një vijë të kuqe për dy të tilla për PDK-në. E padëgjusr
dhe e paparë në Kosovë deri më tani dhe këtë mund ta bëjë vetëm dikush që ka
siguri , ndikim dhe dominim 100% si puna e mikut tim , Ismet Beqirit. Përkundër
të gjithave mendoj se LDK dhe PDK do ta bëjnë luftën kryesore për vend të parë
dhe se nuk përjashtohet koalicioni midis tyre pas përfundimit të certifikimit
të rezultateve të zgjedhjeve.
- Partia Demokratike e Kosovës : Askush nuk e donë ditën , të gjithë e ëndërrojnë natën ! Me paditurinë e
tyre politike , disa parti politike PDK-në e shndërruan në viktimë duke ua
mobilizuar instiktin e mbrojtjes dhe mbijetesës dhe duke i bërë bashkë edhe ata
që nuk flitnin midis vetes. Ka bërë shumë aderime , nga patriotë të dëshmuar
deri te ata që i akuzonin dhe sulmonin tërë kohën. Më heret pata shkruar se PDK
i ka dy probleme ; Hashimin dhe granimin. Lista e propozuar nga kjo parti bënë
zgjidhje për të dyja problemet ; i rehaton njerëzit e Hashimit dhe e forcon
granimin. Dukek si diçka që i ngjanë aventurës por renditja në pozita të larta
të disa ardhacakëve në PDK –ë e forcon tehun dialogues dhe hedh zjarr në debate
e që i ka munguar deri tani. Në PDK –së , deri tani granimi është marrë
kryesisht me muzikë ; Blerta , për muzikë të lehtë dhe serenata në emisione
televizive kurse Ganja me muzikë patriotike në akademi përkujtimore apo në
lokacione ku ka deficit të patriotizmit. PDK –ë , me Hajredinin, Blerimin ,
Abelardin , Memlin , Tarantinon e kafiterive , Besën , Lizën dhe Valdeten e ka
krijuar një ekip të respektueshëm përfaqësues për debate dhe fushatë . Ka edhe
të tjerë që ndihmojnë sikur që është Hajdari i cili nuk del fort në vijën e
parë por se është mbledhës i madh i votave. Pres që edhe ish punëtori im në
SHIK ( Shërbimi Informativ i Këshillit që edhe sot është shumë aktiv ) , Ilmi
Reçica të angazhohet më shumë në debate dhe fushatë sepse i ka të gjitha potencialet
për këtë. Për ujin dhe djathin Rugova nuk është askush më kompetent të flasë se
Migjen Kelmendi , varianti shqiptar dhe kosovar i Bora Ribla Çorbës ! Edhe PDK
e ka bërë listën e kompromisit , dikund kanë hyrë edhe me zor sikur që kanë
penguar të tjerët të bëhen pjesë e listës. Mirëpo , në PDK është një grup jo
fort i vogël i kandidatëve për deputetë që , për sigurimin e votave e çajnë
prapanicën e vet e mos flasim për prapanicat e votuesve dhe , në këtë mënyrë i
sigurojnë vota partisë. Më ka befasuar shumë që është penguar të bëhet pjesë e
listës Dr. Haki Gashi , një ish i burgosur politik nga Suhareka , një patriot
idealist , një personalitet me virtyte të larta njerëzore dhe morale dhe , si
vlerë e shtuar , Dr. Hakiu do të shërbente si flamur në luftë kundër
korrupsionit për faktin se po ta lini edhe në trezorin e thesarit amerikan apo
në vendet ku ruhet ari dhe diamantet e tërë botës nuk do të mungonte asgjë .
Nuk do të kishte fare nevojë të bëhej regjistrimi i pasurisë në këto objekte.
Refuzimi apo kushtëzimi që ai të mos jetë pjesë e listës qartë tregon se në PDK
–ë ende ka të tillë që korrupsionin nuk e kanë vetëm hobi por e kanë mënyrë e
të jetuarit. Është e vërtetë se PDK e ka një listë stabile , ka bërë shumë
ndryshime dhe se nuk e ka asnjë të akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar. Këtë premtim e pati dhënë
Kadri Veseli dhe premtimin e ka mbajtuar. PDK u forcua shumë duke u sulmuar
fillimisht nga Ismet Beqiri dhe së voni nga fatosja e Isës , Vjosa e mos të
flasim për LVV dhe të tjerët. Deri sa Albin Kurti dhe Isa Mustafa tredhnin miza
në hanin e Sami Llapjanit i quajtur Sirius , për muaj të tërë , PDK ka punuar në terren tërë kohën. Tash , sipas
analizës sime PDK do të luftojë për vend të parë me LDK-në dhe nuk do të jetë
habi nëse edhe i fiton zgjedhjet. Të gjithë po thonë se PDK duhet të shkojë në
opozitë, edhe unë e them këtë. Nëse PDK –ë del në opozitë do të lirohej nga
përgjegjësia e marrjes së vendimeve të dhimbshme dhe të vështira siç kanë
paralajmëruar kongresistët amerikanë. Po PDK –ë nuk e ka këtë largpamësi
politike dhe se vështirë do të pranojë të jetë në opozitë. Sa i përket
koalicioneve , pas zgjedhjeve do të shohim se a më shumë i shkonë fjala Ismetit
dhe Vjosës që janë kundër koalicionit apo Palmerit dhe Trampit që janë për një
qeveri që është e gatshme të bisedojë me Serbinë për arritjen e një
marrëveshjeje , të dhimbshme dhe të rëndë . Historikisht dhe faktikisht është
dëshmuar se , për shkak të intereseve të larta shtetërore dhe partneritetit me “ miqtë “ ndërkombëtarë , LDK dhe PDK nuk e kanë fare
problem të marrin vendime të vështira dhe të dhimbshme. Edhe nëse ia ngulin
Kosovës.
- Lëvizja Vetëvendosje : Kjo lëvizje ka një listë të mirë e që
është vërshuar nga anëtarë të shoqërisë civile të cilët , nëse nuk akomodohen
ku duan dhe si të duan . përsëri kthehen në grazhdin e nënës bujare – shoqërisë
civile që nuk i lë fëmijët në rrugë! LVV dhe do të ketë vota por , për shkak të
ndarjes së një pjese të saj , nuk do të ketë vota sikur në vitin 2017.
Përpjekja për koalicion me LDK-në ishte e kotë për faktin se asgjë nuk i
bashkonte përveç , ta them urrejtjes ndaj PDK-së. Prandaj edhe dështoi .
Prandaj do të jetë vështirë apo e pamundur të bëhet koalicion paszgjedhor. LVV
ka luajtur një rol të shëndoshë opozitar dhe ka penguar disa procese të dëmshme
për Kosovën . Problemi i LVV ka qenë dhe
është se oferta e saj është në shpërputhje me projektet ndërkombëtare për
Kosovën si dhe mundësitë reale për konkretizimin e tyre. Personalisht , po të
isha në situatë , procesin e bisedimeve
do t’ia besoja Albin Kurtit sikur edhe luftën kundër korrupsionit. Nëse kemi
parasysh rrethanat aktuale , LVV nuk e shoh të ketë rolin udhëheqës edhe nëse
del partia e parë. LVV , ndonëse ka ndryshuar shumë , më shumë se të gjitha
partitë tjera të cilat e kanë ruajtur konservatizmin e tyre edhe në procese
negative , nuk e ka fituar besimin e atyre që vrajnë dhe kthjellin në Kosovë
për të udhëhequr proceset që e presin Kosovën. LVV duhet të bëhet gati për një
opozitarizëm të fortë dhe konstruktiv . Nëse del e kundërta , do ta përkrah pa
asnjë rezervë.
- AAK dhe PSD : PSD do
të mbijetojë në saje të AAK-së që i ka të rritura aksionet politike në Kosovë.
Ky koalicion nuk do të ndahet keq me vota e as me deputetë. Nëse LDK fiton
zgjedhjet , ky koalicion do të bashkohet me LDK-në sikur edhe Nisma , nëse e
kalon pragun zgjedhor. Haradinaj , në këtë rast mund të pajtohet edhe të mos
jetë kandidat për kryeminister . Me bërjen e koalicionit me AAK-në , PSD ka
fituar muskuj dhe ka fituar siguri që mos t’i rrahin të tjerët ndërsa AAK ka
fituar një ekip përfaqësues për debate dhe fushatë. Nuk e besoj se mund t’i
fitojnë zgjedhjet por se mund të dalin subjekti i tretë apo i katërt.
- Nisma Socialdemokrate dhe AKR : Ky koalicion del të jetë joparimor aty ku ka parime, në Kosovë është shumë
i natyrshëm. Nisma e majtë dhe AKR e djathtë është sikur të bënin koalicion
Berti Sanders dhe Donald Tramp. Edhe AAK e djathtë dhe PSD e majtë janë njëjtë.
Koalicioni Nisma dhe AKR po bënë llogari se pa ta nuk formohet qeveria e që nuk
është fare e vërtetë . Madje , Nisma do të ndahej shumë më mirë pa AKR-në se me
këtë kooperativë bizniso – politike .
Behgjet Pacolli , pa Agim Bahtirin nuk ka bukë në politikë . E la Agimi e shpëtoi
Hashimi , përmes Fatmirit. Mos u habitni nëse ky koalicion përballet me vuajtje të Tantalit në kalimin e
pragut zgjedhor. Nuk e besoj se më Behgjet Pacolli do të jetë në garë me Ivica
Daçiqin se cili do ta dëmtojë më shumë Kosovën , njëri me rritjen e çnjohjeve ,
tjetri me uljen e njohjeve. Realisht , nuk e kam të qartë a më shumë e ka
dëmtuar Kosovën në planin ndërkombëtar , Ivica apo Begja!