Të gjithë i fitojnë zgjedhjet, vetëm një parti apo koalicion do të jetë fitues!

Prishtinë | 14 Gus 2019 | 15:54 | Nga Behxhet Bajgora

Kush do të jetë i dyti sepse i pari dihet : Një mik imi më tha se më është lagur baroti dhe se nuk po më dëgjohet zëri në këto çaste historike ( si të gjitha ngjarjet tjera në Kosovë ) , dhe se po më mungon guximi për të parashikuar rezultatet e zgjedhjeve eventuale të parakohshme që pritet të mbahen në tetor të vitit 2019. Realisht , edhe më heret pata thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen në muajin nëntor të këtij viti por disa zhvillime të pa – parashikuara e shpejtuan këtë proces që ka filluar të bëhet i mërzitshëm për faktin se zgjedhjet nuk po janë zgjidhje dhe nuk po sjellin cilësi të dëshiruar të qeverisjes. Të mbajnë njëfarë rendi :

Gjykata Speciale si katalizator i zgjedhjeve  të parakohshme : Opozita e Kosovës , e fuqishme në numra por impotente në veprime , LDK –ë dhe LVV –ë , që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të fundit e ka pasur vetëm një kërkesë ; organizimin e zgjedhjeve të reja. Tërë kohën e ka bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës , me seanca të jashtëzakonshme duke i dhunuar seancat e rregullta. Tehu i luftës për pushtet ishte drejtuar kundër kryeministrit të Kosovës , z. Ramush Haradinaj kurse PDK-në e konsiderojnë më armiqësore se të gjitha ish pushtetet e Mbretërisë serbo-kroato-sllovene , Jugosllavisë së AVNOj –it , asaj të Zhablakut , Serbisë së Millosheviqit , Ilija Garashaninit , Nikolla Pashiqit , Drazh Mihajlit , Aleksandar Rankoviqit dhe Sllobodan Millosheviqit kurse Josip Broz Titon nuk e fusë në këtë mes sepse , jo pak politikanë të opozitës në Kosovë janë spermatozoidë politikë të Titos. Thuaja ishin afër sigurimit të nënshkrimeve për mocion për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. Në këtë kontekst i luteshin Gjykatës Speciale që sa më shpejt të arrestojë kundërshtarë politikë e që ishin në pozitë në mesin e të cilëve , e pranoj se ka keqbërës të mëdhenj , hajdutë të shndërruar në milionerë si pasojë se u bënë dirigjentë të krimit të organizuar dhe të tjerë , të hirit dhe të konopit me të cilët ishin të gatshëm të bashkëpunonin më parë për marrje të pushtetit . Dëshira e tyre shkoi në vesh të  Zotit (Gjykatës Speciale) e cila e thirri , në cilësinë e të dyshuarit për intervistim , kryeministrin e Kosovës , Ramush Haradinaj i cili , duket të jetë i parapaguar te të gjitha gjykatat për krime lufte , si klient i pashmangshëm , që nga Tribunali i Hagës , gjykatat hibride të UNMIK-ut ( e përbërë nga gjykatës ndërkombëtarë dhe atyre të Serbisë ) , gjykatat e EULESH-it, që e bënë punën , jo lesh por krejt m.t , nga gjykatat e Serbisë dhe , më e reja nga Gjykata Speciale . Ramush Haradinaj e bëri një veprim të admirueshëm shtetërorë dhe moral duke dhënë menjëherë dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe duke shkuar në Hagë si person apo individ privat në mënyrë që Kosovën mos ta ngatërrojë në këtë prostitucion të drejtësisë. Tash , reagimet ishin se Ramushi dezertoi dhe se nuk ka pasur nevojë të dorëhiqet sepse këtë nuk e bëri askush deri më tani ! Ta shohim anën tjetër ; po të kishte shkuar Ramushi në Hagë si kryeminister i Kosovës , do të sulmohej nga po këta partizanë kujdestarë se , vetëm për ta ruajtur pushtetin , nuk ka pranuar të dorëhiqet nga posti dhe , në këtë mënyrë po e ngatërron edhe shtetin e Kosovës , përmes postit më të lartë ekzekutiv , në krime të luftës. Tash po thonë se Ramushi , nga kjo dorëheqje dëshiron të përfitojë politikisht ! E pse të mos të ketë të drejtë të përfitojë politiksht kur ka investuar aq shumë ( dorëheqja nga posti ) ndërsa të tjerët , pa e bërë edhe investimin më të vogël në shërbim të vendit dhe popullit duan ta marrin pushtetin e që është edhe më keq, angazhimin e tyre të mëparshëm kundër popullit dhe vendit , duan ta materializojnë me marrje të pushtetit. Historia e Kosovës dhe shqiptarëve nuk ka filluar në vitin 1989 por shumë më heret. Nëse asgjë nuk ka bërë gjatë këtij mandati të përgjysmuar të Ramush Haradinaj , vendosja e taksës 100% për mallra nga Serbia e Vuçiqit dhe Bosnja e Dodigut , ia lanë të gjitha të tjerat sepse ka penguar ndarjen e Kosovës. Realisht  , i biri i Fahriut dhe Shimi patën prerë rroba për nënshkrim të marrëveshjes “ historike “ dhe detyruese në Garden Roses , në oborrin e marrë me qera nga Trampi për 4 vite sikur që mendonin se ku do të shpenzonin paratë nga Çmimi Nobel pëe Paqe e që e llogarisnin si punë të kryer. Përsëri Shimi dhe Ujku , me nënën Rea Mogerini. Këto matematika ua prishi Ramushi me një ekuacion të thjeshtë  dhe pa një asnjë të panjohur ; nuk ka marrëveshje që rrezikon tërësinë territoriale të Kosovës. Disa veprime që merren në kohë të duhur dhe që bartin shumë rreziqe , e vulosin historinë dhe ardhmërinë . Taksa 100% e Ramush Haradinaj është dhe do të mbetet vulë e përjetshme e përpjekjeve për kthim të krenarisë shtetërore dhe kombëtare. Pashmangshëm se ky veprim i siguron rritje të votave për Ramushin dhe partinë që e drejton . Ramushi e ka luajtur potezin e duhur , në kohën e duhur që do të duhej të bënte çdo politikan që është pjesë e garës politike ! Dikush po e përdorë bashkimin kombëtar për qëllime politike , dikush po ia bashkon Tërrnovcin e Madh , me 35 xhamia Kosovës , gjithashtu për qëllime politike . Të tjerët po kërkojnë vota nga Varri kurse disa të tjerë gjithashtu po kërkojnë vota nga varri ku është varrosur “ Heroi i Kosovës “ , Pablo Eskobari. Dikush po kërkon vota nga dezertorët apo nga ata që e luftuan UÇK-në përmes një formacioni që bënte shtatë palë qejfe larg fronteve të luftës kurse të tjerët presin vota nga një maskarallëk siç janë veteranët e rrejshëm. Po e shihni që votat po kërkohen nga ata , që në situata normale dhe në një vend normal edhe po të votojnë për juve nuk duhet t’i pranoni ato vota por , në kohën e ndryshkut moral dhe antivlerave askush nuk po kërkon vota duke u thirrur në dy abetaret e lirisë dhe pavarësisë si dhe bashkimit kombëtar ; të papërsëritshmit Bacë Adem Demaçi dhe Legjendarit Adem Jashari.

Të gjithë kryeministra , të gjithë të parët , asnjëri ministër apo i dyti : LDK po thotë se i fiton zgjedhjet e që ashtu e thonë edhe LVV , PDK , AAK , NISMA , AKR , Alternativa për Gjakovën , Lëmshi Euroatlantik dhe fatosët dhe pioneret e Kaçusha Jasharit . Nëse më pyetni se kush do të jetë fitues i zgjedhjeve , përgjigjen e keni të sigurt , të gjitha partitë që do të garojnë . Nëse më pyesni se cili do të jetë subjekti i dytë në këtë zgjedhje , do të më zëni ngusht sepse nuk do të keni përgjigje.

LDK , si fituese e zgjedhjeve nuk e lëshon postin e kryeministrit me asnjë çmim. Edhe më parë thoshte kështu në kohën kur kryeministrin e merrnin si dhuratë të Trojës për gatishmëri për bashkëpunim për “ interes të shtetit dhe marrje të pushtetit “.  LVV , edhe  po  të ishin gjallë Hasan Prishtina , Ahmet Zogu , Ismail Qemali  , Mehmet Shehu por edhe pse janë gjallë Edi Rama dhe Fatos Nano , postin e kryeministrit e ka vetëm për Albin Kurtin e që , për shkak të rrethanave aktuale politike vendore dhe ndërkombëtare paraqet sfidë sa edhe restaurimi i Trojës të cilën ende nuk e zbuluan. PDK nuk ka më objekte për të lëshuar me qera prandaj kryeministrin e ka rezervuar për Kadri Veselin . Bëhet , pse jo . Edhe unë mund të bëhem Ajatollah i Iranit , Behxhet Shab el Bajgora. Ramushin nuk ka bir apo bijë nëne në AAK që ka guxim t’ia tregojë se e duan postin e kryeministrit , qoftë edhe në ëndërr. Këta të NISMËS po thonë se nuk e dini se çka do të thotë posti i kryeministrit pa u bërë Fatmir Limaj kryeminister . Behgjet Pacolli e ka përkrahjen e plotë dhe të pakundërshtueshme të tërë anëtarësisë së AKR-së ( tre anëtarë ) për kryeminstër. Alenca për Kosovën alias Aleanca për Gjakovën është në pozitën më të mirë dhe më të favorshme ; nga gjithsej dy anëtarë që i ka , Ilir Dedja dhe Mimoza Kusari , që të dy janë kandidatë seriozë për kryeministër të Kosovës ! Shpendkeqi nga PSD , po i var shpresat –  topet në një qeveri politeknike. Vetëm në atë mënyrë i arrinë majat. Në atë mënyrë edhe Albini e pati promovuar , nga rrethi i tetë i FER-it, në parajsë të LVV . Për mua mbetet i panjohur fakti e që mund të jetë vendimtar në planin global dhe kombëtar nëse Danush Ademi është kandiduar për kryeminster të Kosovës. Nëse Danushi , me tërë bagazhin politik dhe profesional që e ka , kandidohet për kryeminstër , këta të tjerët mund dhe do t’i bien fyellit e disa edhe kavallit. Me Albinin kryeminstër ka gjasë që disa t’i bien pianos në Kollegium Kantorum në Dubravë apo BSL në Gërdoc.

Të gjithë për zgjedhje, askush nuk i do zgjedhjet :  Të gjithë u entusiasmuan për këto zgjedhje të parakohshme . LDK llogarit se 100% do të jetë fituese. Edhe mund të jetë. Jo pse ka punuar mirë por se të tjerët kanë punuar keq. LDK nuk është as parti unike e më së paku vendimmarrëse. LDK në Kuvendin e fundit është përçarë brenda kurse ambalazhimin e jashtëm e ka si të ishte krejtësisht e bashkuar. Në Kuvendin e fundit të LDK-së i integruan edhe pjesa e krimit të organizuar për çka akuzonte subjektet tjera politike. Tash , LDK është e ngjashme me partitë tjera. LDK nuk arriti ta nxjerrë një udhëheqje vendimmarrëse dhe vepruese por se po e mbanë udhëheqjen me viagra dhe stimulues të tjerë politikë , me afat të skaduar.

LVV po thotë se do të fitojë zgjedhjet dhe se për këtë nuk e ka asnjë dyshim . Po të ishte e pandarë edhe mund t’i fitonte zgjedhjet , kështu e ndarë dhe e udhëhequr nga Akademia e Pleqve të Mençur të LPK-së, e ka vështirë të fitojë zgjedhjet prandaj po shtrihet në shtratin e LDK-së , për kursin e Kasutras politike. Me LDK-në e kanë një joshje sistematike , tundim të çastit për formim të koalicionit por se kjo dashuri midis dy partnerëve që kurrë nuk janë dashur kanë mungesë të theksuar pasioni. Nuk kanë fare pasion . Nuk funksionon fare kimia midis LVV dhe LDK-së përveç gazit lotsjellës.

PDK pati rënë fort dhe u gjet në situatë që askush nuk e do, madje as edhe për një përdorim të vetëm. Prandaj është detyruar të shkojë e vetme në zgjedhje e që besoj se do të jetë më e mirë për këndellje politike apo të marrë dëshmin për vdekje definitive , si subjekt politik. Për faktin se PDK po insiston në zgjedhje të parakohshme tregon se e kanë një siguri ndryshe , me të gjitha mjetet e lejuara ( Hashim Thaçin ) dhe të gjitha mjetet e palejuara ( Hashim Thaçin ) do t’i pengonte zgjedhjet e parakohshme . Dhe sigurisht se do t’ia dilte të pengojë këto zgjedhje.

AAK nuk e besoj se do të fitojë këto zgjedhje por jam i sigurt se do të fluturojë shumë lart, më lart se çdo herë tjetër.

Jam i sigurt se do të kemi shpërndarje të madhe të votave dhe se dallimi midis të parit dhe të parit ( nuk ka parti të dytë ) do të jetë e ngushtë. Koalicionet parazgjedhore të subjekteve të mëdha do ta dhunojnë demokracinë , koalicionet e partive të vogla i japin sharm demokracisë. Askujt nuk do t’i dalin llogaritë ashtu si  u thotë kalkulatori i tyre , do të ketë shumë zhgënjime. Por , diçka jam i sigurt ; kushdo që fiton në këto zgjedhje , ndryshimet dhe përparimet do të jenë të papërfillshme. Personalisht do ta përkrah çdo qeveri , çdo parti , çdo koalicion që do të vendos rend dhe rregull edhe nëse nuk pajtohem e ata. Të shohim më vonë si do të zhvillohen ngjarjet e pastaj vazhdojmë . Me këtë ia dëshmova mikut tim se nuk kam mungesë guximi , se jam trim ndonëse thuhet , me të drejtë se nuk ka trima të mençur por vetëm trim budalla !

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme