Numri global i viktimave nga COVID-19 tani ka kaluar tre milionshin, sipas një numri nga Universiteti Johns Hopkins.
Bashkimi Evropian dhe Zona Ekonomike llogarisin të paktën 645 mijë e 412 vdekje, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova
Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë vendin e parë me numrin më të lartë të vdekjeve të raportuara për shkak të COVID-19 me më shumë se gjysmë milioni, duke lënë pas Brazilin, Meksikën dhe Indin.
Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Franca kanë regjistruar mbi 100 mijë viktima.
Por, numri i të vdekurve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë sesa vlerësimi zyrtar për shkak të problemeve të hershme të testimit dhe nënraportimit të rasteve në fillim të krizës.
Ka një vit e katër muaj që kur raportet e para të virusit dolën nga Kina.
Numri i zymtë i vdekjeve globale vjen në një kohë që epidemia po përkeqësohet në disa vende mes shfaqjes së varianteve të reja dhe më të transmetueshme.
India kohët e fundit raportoi më shumë se 200 mijë raste të reja me COVID në ditë.
Disa vende evropiane kanë qenë duke luftuar për të përmbajtur infeksione ndërsa varianti i parë i zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar po përhapet me shpejtësi.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se trajektorja e pandemisë ishte në rritje.