Mbillen 8 mijë fidanë për ndryshime klimatike

Prishtinë | 20 Tet 2016 | 17:06 | Nga

Në kuadër të projektit “Forcimi i agjendës për ndryshime klimatike në Kosovë” (SLED2) që implementohet nga organizatat partnere “CEED Kosova” nga Prishtina, “Agrobiznesi” nga Rahoveci dhe AKEREE nga Prizreni, me financim të Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe mbështetje të UNDP-së, të mërkurën, filloi implementimi i “Projekti demonstrues për mbrojtjen e pyjeve”.

Në kuadër të aktiviteteve të këtij projekti do të mbillen 8 000 fidanë, prej të cilave 2 500 do të jenë fidanë të drunjve halorë trevjeçar (Pinus Nigra), 4 500 fidanë të drunjve halorë trevjeçar (Picea Abies – Hormoqi) dhe 1 000 fidanë njëvjeçar të mollës së egër.

Lokacioni i mbjelljes gjendet në Malet e Sharrit në Prizren, ndërsa ngastra e mbjelljes është e caktuar nga Agjencia e Pyjeve e Kosovës (APK). Mbjellja e fidanëve organizohet nga Projekti në bashkëpunim me Qendrën për Punësim në Prizren e cila ka siguruar 10 punëtorë të cilët do të bëjnë mbjelljen.

Qëllimet e implementimit të këtij projekti demonstrues janë:

Ngritja e vetëdijesimit për ndryshimet klimatike, promovimin e masave të përshtatjes dhe zbutjes së ndikimeve të këtyre ndryshimeve; promovimi i ripyllëzimit në Kosovë për rritjen e sasisë së biomasës drusore për përdorim si lëndë djegëse për ngrohje në Kosovë; promovimi i pyllëzimit të sipërfaqeve të zhveshura për të evituar erozionin e dheut; rritja e diversitetit të bimëve në pyje; rritja e produktivitetit të pyjeve; rritja e sipërfaqes së pyjeve që rrit edhe mundësinë e absorbimit të CO2; krijimi i korridoreve për migrimin e kafshëve.

Në aspektin e këshillimeve profesionale, projekti është duke bashkëpunuar ngushtë me Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës në Prizren si dhe me Autoritetin Pyjor Komunal në Kuadër të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Prizrenit.

Që projekti të jetë i suksesshëm, nevojitet edhe përkujdesje e vazhdueshme e fidanëve pas mbjelljes. Agjencia e Pyjeve të Kosovës, gjegjësisht Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës në Prizren, do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e zonës së pyllëzuar dhe përkujdesjen për rritjen e tyre ndërsa Autoriteti Pyjor Komunal në Kuadër të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Prizrenit, do të kujdeset për ruajtjen nga dëmtimet njerëzore dhe prerjen e paautorizuar.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i Agjendës për Ndryshime Klimatike në Kosovë” (SLED2), me synim që të ngritë vetëdijen e qytetarëve për ndryshimet klimatike. Ky projekt financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe nga UNDP.

ndryshimet-klimatike ndryshimet-klimatike1 ndryshimet-klimatike2

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme