Mbingarkesa e çantës ndikon në përqendrimin e nxënësve në mësim

Prishtinë | 23 Mar 2017 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Në konferencën e mbajtur sot nga Instituti EdGuard u paraqitën të gjeturat nga hulumtimi “Ndikimi i peshës së çantave tek fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta”.

Ndikimi i peshës së çantave tek fëmijët ndër vite ka nxitur debat dhe shqetësimin e prindërve, mësimdhënësve dhe aktorëve të tjerë të përfshirë.

Në vazhdimësi është ankuar për ndikimin që pasha e çantave ka në shëndetin e fëmijëve. Ky hulumtim për herë të parë sjell të dhëna empirike rreth peshës së çantave tek fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë.

Të gjeturat e hulumtimit konstatojnë që pesha e çantave të fëmijëve të ciklit fillor dhe të mesëm të ulët është mesatarisht 4.3 kg, dhe paraqet 14% e peshës së tyre të trupit, kundrejt 10% të normës së rekomanduar.

Të gjeturat tregojnë që në veçanti te fëmijët e ciklit fillor, të klasave 1-5, janë më të prekur, me peshën e çantës deri në 16% të peshës së trupit.

Fëmijët kalojnë mesatarisht 10-15 minuta ecje nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas, dhe vetëm 33% e tyre, ndonjëherë asistohen në bartje të çantës, nga prindërit apo kujdestari.

Raporti konstaton që pesha e madhe e çantës nuk mund të ketë ndonjë implikim serioz apo afatgjatë në shëndetin e fëmijëve.

Mirëpo, mbingarkesa e çantës është faktorë i drejtpërdrejtë në lodhjen dhe dhimbje momentale të shpinës tek fëmijët, që ndikojnë në përqendrimin e tyre në procesin mësimor. Fëmijët më së shumti ankohen për dhimbje shpine, 37%, dhe dhimbje kraharori 34%.

E rëndësishme, përtej peshës së çantës, raporti konstaton mungesë të theksuar të aktivitetit fizik në mesin e fëmijëve, e që paraqet shkaktar për shumë probleme me shëndetin e tyre.

Raporti, ndër të tjera, rekomandon në intervenim të menjëhershëm në infrastrukturë në shkolla, funksionalizimin e dollapëve; si dhe rishikimin përmbajtjesor të teksteve shkollore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme