Është mbajtur mbledhja komemorative në kujtim të këngëtarit të njohur Shemsi Krasniqi i njohur si Shemi i Ilirëve, e i cili vdiq gjatë ditës së djeshme e ku u nënvizua kontributi i tij për muzikën, raporton Ekonomia Online.
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku, tha se Shemi do të mbetet ikonë e rock-ut dhe përmendi grupin e tij, të cilët i dhanë jehonë muzikës gjatë viteve 80 dhe 90.
“Dje pranuam lajmin e rëndë se u nda herët dhe papritur. Përveç artist, Shemi ishte personalitet i veçantë dhe shumë i dashur për të gjithë. Vendit nuk iu nda publikut asnjëherë; në mënyra të ndryshme deri në ditët e fundit të jetës e gjenim në muzikë, televizion e qytet, dhe në kujtesën kolektive tash e tutje. Kontributi i tij, përveç artistik, ishte edhe shoqëror. Grupi i tij, Ilirët, arriti të jetë përbashkues për të gjithë ne në periudhat më të vështira gjatë viteve ’80–’90. Shemi ishte ikonë e rock-ut shqiptar dhe mungesa e tij do të rëndojë mbi të gjithë ne. Në këtë sallë, kohëve të fundit po mblidhemi për t’i dhënë lamtumirën shumë figurave; është e rëndë që si shoqëri jemi duke humbur një brez të artë artistësh, që janë vetë historia e vendit dhe frymëzim për jetën. E kemi për detyrë si shoqëri që t’i kujtojmë me respekt dhe ta mirëmbajmë historinë e tyre. Ngushëllime familjes, shoqërisë dhe gjithë komunitetit artistik”, tha Çeku.
Ndërsa nipi i Shemsi Krasniqit, Kastriot Grajqevci, kujtoi dajën derisa theksoi se e mbajti vendin me muzikë.
“Ju falënderojmë për praninë tuaj për të nderuar jetën dhe zërin e tij, që la gjurmë në muzikën e këtij vendi. Viti 1990, Shemi publikoi këngë fshiji lotët dhe zgjohu, Kosovë, si një këngë që nuk u bë vetëm album, por u bë zëri i një kohe. Në çdo tingull kishte qëndrim, në çdo varg kishte dinjitet. Nuk kërkoi famë, kërkoi zemra dhe njerëz që nuk dorëzohen. Mbeti edhe sot nuk ishte këngë e momentit, por këngë me peshë, me shpirt dhe me amanet që jeton pas viteve. Mbeti i njëjtë, i palëkundur. Dajë, ti nuk ishe vetëm pjesë e familjes sonë, sot, kur po lexoj këtë, po e kuptoj se sa shumë i ke takuar këtij vendi dhe se si e mbajte gjallë me këngë. Kur na mungon fizikisht, na mbetet zëri i tij. Na la një trashëgimi që nuk shuhet me kohë. Po e lexoj me zemër të madhe – ai ishte frymëzim për mua. Premtoj se do ta mbaj gjallë këtë frymë. Falënderojmë Ministrinë dhe Hajrullah Çekun për nderimin dhe kujdesin e treguar sot”, tha ai.


