Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Verës “Enologjia”, të cilët i ka njoftuar për programet mbështetëse të ministrisë për këtë vit, si dhe për zhvillimin e sektorit të vreshtarisë dhe verëtarisë në vitet e fundit.
Gjatë këtij takimi ministri më gjerësisht i ka njoftuar ata me masat mbështetëse për këtë sektor, ku edhe sivjet ai tha se prodhuesit dhe përpunuesit e verës, do të gjejnë mbështetjen përmes pagesave direkte dhe granteve investive.
Ministri ka treguar se gjatë këtyre ditëve do të shpallen edhe thirrjet për aplikim për shumicën e masave të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të këtij viti. Përmes këtij programi, ai tha se synojnë përmirësimin e mëtejmë të sektorit të bujqësisë në vend, si dhe stimulimin dhe rritjen e cilësisë së prodhimit dhe përpunimit bujqësor në vend.
Po ashtu, ministri Krasniqi i përgëzoi prodhuesit e verës edhe për rritjen e eksportit të verës kosovare drejt tregjeve të huaja. Ai ka treguar se krahas rritjes së eksportit, trendi i importit të verës në vend ka shënuar rënie dhe sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit të kaluar, janë eksportuar mbi 5 milionë litra verë, ndërkaq janë importuar më pak se 600 mijë euro. Këta prodhues, sipas ministrit janë edhe një shembull i mirë i suksesit në këtë sektor.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Verës “Enologjia”, kanë treguar se mbështetja e deritanishme e MBPZhR-së ka bërë që sektori i vreshtarisë dhe verëtarisë të zhvillohet edhe më shumë, duke ndikuar kështu edhe në përmirësimin e cilësisë së prodhimeve dhe stimulimin e eksportit të produkteve të këtij sektori jashtë vendit.