Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka marrë vendim për hapjen e sezonit të gjuetisë për periudhën 2016-2017. Sezoni i gjuetisë për lloje të caktuara të kafshëve të egra në tërë territorin e Republikës së Kosovës, do të hapet që nga data 6 nëntor e këtij viti dhe gjuetia do të organizohet vetëm ditëve të diela.
Duke u bazuar në këtë vendim, organizimi i gjuetisë do të bëhet nga menaxherët e vendgjuetive, si dhe nën mbikëqyrjen e organeve përgjegjëse të MBPZHR-së, ndërkaq aktivitetet e gjuetisë mund t’i kryejnë të gjithë menaxherët e vendgjuetive dhe të shoqatave të gjuetisë, të cilët i kanë hartuar planet vjetore sipas Ligjit për Gjuetinë dhe duke u bazuar në nenet e caktuara të Udhëzimit Administrativ për Planet Menaxhuese dhe Vjetore të Menaxhimit të Vendgjuetive.
Ndërkaq, këtë vendim obligohet që ta zbatojnë Agjencia Pyjore e Kosovës, Federata e Gjahtarëve të Kosovës, menaxherët e vendgjuetive, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Drejtoritë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.
Sipas legjislacionit në fuqi, ministri me vendim të veçantë do të shpallë mbylljen e sezonit të gjuetisë.