Policia e Kosovës ka njoftuar se dera e një kishe ortodokse në Prizren është tentuar të digjet. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:09, në rrugën “Haxhi Krasniqi” në Prizren, saktësisht tek objekti kishtar “Shën Pantelija”.
Policinë e ka njoftuar një qytetar, i cili kur ka vërejtur një zjarr në afërsi të derës së një kishe, ai ka reaguar dhe ka arritur ta fikë zjarrin pa u shkaktuar dëme të mëdha.
Në raportin policor thuhet se të dyshuar të panjohur kanë tentuar ta djegin derën e hyrjes së këtij objekti.
Patrulla policore i është përgjigjur rastit dhe me të arritur në vendngjarje konfirmojnë se në vendin e ngjarjes kundërmon era e benzinës dhe është një shishe e plastikës që është djegur.
Pasi që janë mbledhur provat dhe dëshmitë, në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ke rekomanduar që të iniciohet rasti shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.