Në një prononcim për gazetarët, teksa foli për negociatat, ku u shpreh se ato nuk hapet nëse nuk luftohet krimi dhe korrupsioni as në 2019-ë, kreu i PD, Lulzim Basha reagoi edhe ndaj Taulant Ballës, në lidhje me foton që ai publikoi të enjten në Parlament.
Balla publikoi një foto të Lulzim Bashës me një tjetër person, për të cilin Balla u shpreh se ishte vëllai i një prej personave të kërkuar në lidhje e eurot e kapura ditët e fundit në Durrës.
Basha u shpreh se Balla e ka marrë atë foto pikërisht nga banda e Elbasanit. Kreu i PD theksoi se personi në fjalë nuk i thotë asgjë.
“E ka marrë atë foto nga banda e Elbasanit. Nuk e mbaj mend që më ka prezantuar me atë person askush. Ta marrin dhe ta arrestojnë nëse ai është person i dyshuar. Unë takoj me mijëra njerëz. Personi në fjalë nuk më thotë asgjë”, u shpreh kreu i PD.
Basha përsëriti edhe njëherë se është Taulant Balla garantuesi i eurove të kapura në Durrës, të cilat sipas tij janë para droge të bandës së Elbasanit.