Felicity Gery, avokatja e cila përfaqëson Ismet Bahtijarin, ka kërkuar nga Gjykata Speciale lirimin e menjëhershëm të klientit të saj, ndonëse ai ka pranuar fajësinë për veprat penale për të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
“Siç e dini, familja e tij është ndikuar në mënyrë të jashtëzakonshme. I përmenda edhe në seancë private, ju e dini se çfarë pasojash ka pasur ky proces gjyqësor mbi atë dhe familjen e tij, si dhe keni edhe përshkrimin nga anëtarë e komunitetit të tij dhe ju duhet të dilni në përfundimin që ky person duhet të shkojë në shtëpi, ka nevojë për atë në shtëpi”, tha Gery.
Ajo tha se situata e klientit të saj është shumë e trishtë dhe se në rast që nuk mund të pranohet sot kërkesa, atëherë lirimi i Bahtijarit të bëhet sa më shpejt që është e mundur, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ka pasur më shumë vështirësi se të tjerët në paraburgim. Situata e tij është shumë e trishtë. Duhet të jetë në shtëpi e me familjen e tij për kohën që i ka mbetur. Ne mendojmë që kjo duhet të bëhet menjëherë dhe ju lutem që ta merrni parasysh nga data 10 dhjetor, nga ajo ditë. Ju lutem të gjeni një dënim që merr parasysh lirimin e tij të menjëhershëm këtë ditë, 19 dhjetor 2024, pra që sot. E kuptojmë që kjo ju vendos në trysni të jashtëzakonshme. Nëse nuk mund ta pranoni këtë kërkesë sot, ju lutem ta lironi sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha avokatja.
Për Bahtijarin, Gery tha se e ka përgjegjësinë e ulët të fajësisë në këtë rast, e që thotë se ka vepruar sipas udhëzimeve. Sipas saj, në këto veprime nuk ka kërcënime.
Ajo shtoi se duhet të merren parasysh edhe rrethanat personale, statusin financiar, moshën e të tjera, sa i takon dënimit.
Prokurori John Deveney tha se qëndrimi i Prokurorisë është që dakordimi është bërë për dy vjet burgim për këtë rast.
“Ky është dënimi më i ulët që mund të jepet për këtë lëndë gjyqësore. Është një dënim i drejtë, i përshtatshëm edhe mbulon edhe faktorët lehtësues që përmendi avokatja. Ky dënim e ka marrë parasysh faktin që i akuzuari ka pranuar fajin, kohën kur e ka punuar, bashkëpunimin nga i akuzuari që në fakt ka pasur prani të kufizuar, karakteri i të akuzuarit dhe roli i Bahijarit në krahasim me të akuzuarit e tjerë dhe parashtrimet lidhur me shëndetin”, tha prokurori.
Ndryshe, para kërkesës për lirimin e menjëhershëm të Bahtijarit, seanca për disa minuta ishte private. Ndërsa, një pjesë të parashtrimeve edhe prokurori kërkoi që t’i bëjë në seancë private.
Pasi u hap seanca, prokurori tha se veprat e tilla penale e pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe pengojnë procesin me përgjegjësi. Tha se vendimi për të cilin kanë rënë dakord me Bahtijarin është i drejtë dhe duhet të pranohet nga trupi gjykues duke ia llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia theksoi se nuk do të marrin vendim lidhur me marrëveshjet e fajësisë sot dhe as sa i takon dënimit.
“Sot nuk do të ketë lirim”, tha gjykatësja.