Mbrojtja e ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, i cili po akuzohet për krime lufte, ka kërkuar nga gjykata të urdhërohet lirimi i menjëhershëm i përkohshëm i tij deri në 30 ditë para fillimit të gjykimit.
Sipas mbrojtjes paraburgimi që zgjat para gjykimit bie ndesh edhe me të drejtën për liri si një e drejtë themelore e njeriut, e mbrojtur me nenin 5 të KEDNJ dhe nenin 29 të Kushtetutës së Kosovës.
“Si i tillë, procesi i shqyrtimit të paraburgimit duhet të udhëhiqet nga lirimi i shpeshtë i të akuzuarve si imperativi kryesor, duke pasur parasysh preferencën ligjore për lirinë para gjykimit. Në këtë frymë, mbrojtja ofron parashtresat e mëposhtme për shqyrtimin e tretë të paraburgimit të z. Hashim Thaçi, në përputhje me Rregullën 57(2) të Rregullores”, thuhet në shkresën drejtuar gjykatësit paraprak.
Mbrojtja ka konsideruar se kjo mund të bëhet ose nëpërmjet lirimit të z. Thaçi në Kosovë, ose në ndonjërin prej dy shteteve të palëve të treta, [REDAKTUAR], të cilët kanë dhënë garanci për zbatimin e lirimit të tij dhe kthimin në Gjykatë.
Sipas tyre, akti më domethënës i bashkëpunimit të Thaçit ishte dorëheqja dhe dorëzimi vullnetar.
“Ai e bëri këtë më 5 nëntor 2020. Gjashtë muaj më parë, një deklaratë për shtyp e ZPS paraqiti një rast shumë më të rëndë se ai i akuzuar tani, duke përfshirë edhe akuzën se z. Thaçi ishte penalisht përgjegjës për “gati 100 vrasje”, thuhet nga mbrojtja.
Tutje, thuhet se këto rrethana përfshijnë se Thaçi, i cili vullnetarisht i hapi rrugën dorëzimit të tij, tashmë ka qenë i burgosur për 17 muaj.
“Mundësia e një dënimi të gjatë me burgim në rast të një dënimi, edhe pse është relevante, mund të ketë vetëm peshë të kufizuar duke pasur parasysh se Thaçi përfiton nga prezumimi i pafajësisë”, thotë mbrojtja.
Sipas mbrojtjes, zbulimi jo i plotë i ZPS-së, dhe rregulli 102(3) i grumbulluar, tregon se procesi paragjyqësor do të vazhdojë për muajt dhe muajt në vijim.
“Dosja nuk mund t’i transferohet ende trupit gjykues dhe as nuk diskutohet asnjë datë e parashikuar e gjykimit. Pasi të përfundojë zbulimi, mbrojtjes duhet t’i jepet ende kohë për shqyrtimin e saj dhe për përgatitjen e dosjes paraprake në sfondin e hetimeve në vazhdim”, thuhet tutje.
Më pas, në këtë shkresë diskutohet për kushtet e arrestit shtëpiak, të cilave Thaçi mund të u nënshtrohet në Kosovë.
Ata thonë se paraprakisht kanë dorëzuar garanci nga [REDAKTUAR) duke konfirmuar gatishmërinë dhe kapacitetin e tyre për të akomoduar Thaçin sipas kushteve të përcaktuara nga gjyqtari i procedurës paraprake.
“Në mënyrë të veçantë, [REDAKTUAR] ka konfirmuar aftësinë e tij për të siguruar dhe monitoruar [REDAKTUAR]. Dy gjyqtarë të Kolegjit të Gjykatës së Apelit kanë theksuar tashmë nevojën që gjyqtari i procedurës paraprake të shqyrtojë dhe vlerësojë garancitë e ofruara nga shtetet e palëve të treta përpara se të përcaktojë nëse këto garanci minimizojnë ose eliminojnë rrezikun e mbetur”, thuhet tutje.
Mbrojtja i ka propozuar gjykatës që të mbahet një seancë apo më shumë se një seancë dëgjimore dhe të urdhërohet prania e individëve përkatës duke përfshirë Drejtorin e Policisë së Kosovës, Kryeshefin e Paraburgimit të Njësisë së Paraburgimit të Dhomave të Specializuara , përfaqësuesit e Qeverive [TË REDAKTUARA], të mbrojtjes dhe anëtarëve të tjerë përkatës të Zyrës Administrative që të diskutohen kushtet e lirimit.