Nëse në Gjermani, në Zvicër, në Francë, në Itali, në Suedi e kudo tjetër ku jetoni ju nuk e kërcënoni kryeministrin, ministrin, deputetin, e besa as gazetarin, sepse thjesht nuk guxoni ose sepse jeni të vetëdijshëm për pasojat që mund t’i mbartni, atëherë pse trimëroheni duke i kërcënuar politikanët dhe gazetarët në Kosovë?
Kritikoni nëse nuk pajtoheni, meqë rrjetet sociale ua kanë dhënë këtë mundësi, por kurrë mos ia jepni vetës të drejtën që t’i kaloni kufijtë e normales, njerëzores, debatit të argumentuar.
Po ashtu, nga distanca mos e luani as rolin e trimit, as të gjithëdijshmit dhe as të modelit të patriotit. Në demokraci është i shëndetshëm debati, jo kërcënimet, sharjet dhe ofendimet.
Këtë duhet ta dini, sepse Perëndimi – ku ju jetoni – këto vlera i përfaqëson, bashkë me mirëqenien që ua ofron. Silluni si duhet, si njerëz të qytetëruar, dhe s’keni pse gjunjëzoheni para askujt.
Ejani në Kosovë dhe kënaquni me të afërmit tuaj e mos e humbni kohën nëpër gjykata. Mbushuni mend. Kërcënimet nuk ia vlejnë!